"Fair play" financiar, UEFA heton klubet që mashtruan
Pas dënimit ekzemplar të Manchester Cityt me përjashtimin për dy vjet nga Liga e Kampionëve dhe gjobën e majme, UEFA kërkon të çojë në një tjetër shkallë luftën e saj për respektimin e rregullave Financiare.

I ashtuquajturi ‘Fair Play’ që është shkelur nga shumë klube duket se ka patur një trajtim preferencial, por tani po studiohen edhe klubet e tjera që dyshohet se kanë mashtruar me bilancet.

Përdorimi i plusvalencave false dhe shitjeve të fryra të lojtarëve, si dhe kamuflimet me sponsorët duket se janë përdorur për të dribluar rregulloren e UEFA-s.

Praktikisht ekspertët do të hetojnë nëse marrëveshjet mes klubeve për të rritur vlerën e lojtarëve që të shmangen gjobat dhe dënimet, është bërë sipas një çmimi real tregu, apo është manipuluar.

“Financial fair play” është një sistem rregullash që u prezantua nga UEFA në vitin 2010, me zotimin për të futur klubet në rrugën e duhur, dhe për të detyruar ekipet e federuara që të respektojnë parametrat ekonomike dhe financiare.

Objektivi ishte përafrimi i kostove me shpenzimet, dhe skuadrat duhet praktikisht jo vetëm të fokusohen te borxhet por edhe të mbajnë një ekuilibër të llogarive për të evituar falimentime.

/TCH/
Shtuar më 17/02/2020, ora 21:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori