Foto "bekon" djalin: Në moshën e tij as në ëndërr nuk i shihja këto gjëra
Foto Strakosha nuk është një person që emocionohet shumë lehtë, por sigurisht debutimi i djalit të tij sonte në mbrëmje do ta bëjë shumë krenar.

Legjenda e portës shqiptare ka ruajtur gjithmonë gjakftohtësinë kur ishte vetë në fushë, por emocionet janë të dukshme ndërsa flet për të birin, Thomasin, i cili sonte do të bëjë debutimin me fanellën kuqezi.

"Nuk e prisja. Djali ka bërë paraqitje të mira dhe ka ecur në rrugën e duhur deri tani, por sigurisht që jam i kënaqur. Është emocion i madh dhe përgjegjësi shumë e madhe.

Këshilla? Shikoni, sa më shumë rriten fëmijët, aq më pak këshilla u japim! I kam thënë vetëm të ruajë qetësinë deri në fund, sepse është shumë e rëndësishme! Të mos ndikohet nga fakti që ka rivalë të mëdhenj para. Por ndërkohë ai është i ndërgjegjshëm për këtë. Thjesht i kam kërkuar të jetë sa më i qetë", ka thënë Strakosha për Panorama Sport.

I pyetur nëse djali i tij do të bëhet më i zoti se vetë ai ai përgjigjet:

Nuk e di, por në moshën që ka dhe në nivelet që luan, babai i Thomasit këto gjëra nuk i kishte parë as në ëndërr… Ai ka cilësi dhe mbi të gjitha ka karakterin e duhur! I duhet të punojë shumë, por është në rrugën e duhur. Mungesat? Thomasi duhet të mendojë të bëjë mirë detyrat e tij! Kështu do u ndihmojë shumë shokët!





Shtuar më 24/03/2017, ora 15:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori