FSHF: Federata Serbe të na pajisë me bileta
Federata Shqiptare e Futbollit hedh poshtë kërkesën e homologes së saj serbe që dy sfidat me Serbinë të luhen pa praninë e tifozëve miq. Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit shqiptar në mbledhjen e sotme vendosi të mos pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë, për një marrëveshje bilaterale, sipas të cilës, ndeshjet Serbi–Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në "Elbasan Arena" të zhvillohen pa praninë e tifozëve të skuadrës udhëtuese.

Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF, të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, konform rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ua shpërndajnë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij.

KE shpreh bindjen se me pjesëmarrjen e tifozëve, kjo ndeshje dhe në përgjithësi futbolli, nuk humb një dimension shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ky institucion beson se duhet krijuar nje atmosferë sa më bashkëpunuese, duke e konsideruar ballfaqimin e 14 tetorit, thjesht një ndeshje futbolli, pa etiketime politike e etnike.

Në frymën e bashkëpunimit për zhvillimin sa më normal të kësaj ndeshje, më datë 13 tetor, një ditë përpara takimit, do të zhvillohet një miqësore mes Veteranëve të Futbollit të Serbisë dhe atyre të Shqipërisë. Ky ballafaqim, i emrave të njohur të futbollit të të dy vendeve, do t’i shërbejë krijimit të një klime sa më të mirë përpara takimit zyrtar Serbi-Shqipëri. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2014, ora 16:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori