Guardiola i "qan halin" Premierligës: Ajo çfarë po bën Liverpooli është shqetësuese
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola mendon se Premier League duhet të shqetësohet nga dominimi i madh i Liverpoolit këtë sezon.

Skuadra e Jurgen Kloppit prin në vendin e parë momentalisht me 22 pikë më shumë se vendi i dytë, City, pasi pas 25 ndeshjeve deri tani këtë sezon, i ka lëshuar vetëm dy pikë.

Dominimi i madh i të kuqve vjen një sezon pasi ata e kishin mbyllur vitin një pikë prapa kampionit Manchester City, i cili i kishte grumbulluar 98 pikë në total.

Liverpooli tani është në rrugë të mirë ta barazojë apo madje ta kalojë këtë shifër deri në maj, me Guardiolën që beson se një dominim i tillë duhet t’i shqetësojë drejtuesit e ligës elitare angleze.

"Në dy sezonet e fundit, një pronar i Premierligës tha se kjo nuk duhet të ndodhë, pra City t’i fitojë titujt në atë mënyrë, duke i grumbulluar 100 pikë , nuk i bën mirë Premierligës", tha Guardiola.

"E tani po e bën Liverpooli. Pronari duhet të shqetësohet përsëri", shtoi ai.

Ka kohë që Guardiola e vlerëson garën për titull si të mbaruar, me skuadrën e tij që lëshoi pikë përsëri pas humbjes 2:0 nga Tottenhami të dielën.
Shtuar më 03/02/2020, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori