Hallaçi e nis me humbje, Teuta mposht bindshëm Kukësin (VIDEO)





Kukësi nuk ka arritur të kthehet në rrugën e fitoreve as me largimin e Gegës.

Emërimi i Hallaçit në krye të pankinës nuk jep efekt që në ndeshjen e parë, teksa verilindorët janë mposhtur me shifrat 0-2 nga Teuta.

Pas një fillim sezoni me oshilacione dhe larg pritshmërive, skuadra durrsake ka kapur më në fund ritmin dhe e mbyll në mënyrën më të mirë vitin 2020.

Kukësi mund të gjente avantazhin gjatë pjesës së parë, por rrëzimi i Ezesë në zonë ishte një aktrim i nigerianit në sytë e arbitrit kryesor dhe jo një penallti.

Ndërkohë Teuta gjeti rrugën e rrjetës në fraksionin e dytë të lojës, kur brenda vetëm 4 minutave e dërgon dy herë topin pas shpinës së Tafës.

Fillimisht ishte një supergol i ardhur nga këmba e Emiljano Vilës ai që hapi rrugën e golave, ndërsa në minutën e 69, Dejvi Bregu merr një krosim perfekt në zonë dhe me kokë dyfishon rezultatin.

Por bregdetarët nuk ndalen me kaq dhe në minutën e parë të shtesës vulos fatin përfundimtar të takimit, teksa Lorenco Vila finalizon me gol një aksion model të skuadrës së tij.

Teuta rrëmben kështu vendin e dytë në renditje dhe “kërcënon“ Vllazninë kryesuese, që deri në këtë moment ka të grumbulluara 6 pikë më tepër.
/sporteksrpes/
Shtuar më 30/12/2020, ora 18:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori