Hap i madh në karrierë, Keidi Bare niset drejt Barcelonës për të firmosur me klubin e ri
Keidi Bare bëhet gati për etapën e re të karrierës së tij. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, sot u ka dhënë lamtumirën shokëve të skuadrës te Malaga, për të udhëtuar menjëherë drejt Barcelonës, ku do të nënshkruajë me ekipin e Espanjol.

Klubi i cili në fund të sezonit të kaluar ra nga La Liga, kërkon që të kthehet përsëri në elitë dhe pa Baren si një nga përforcimet më të mira të mundshme. Kështu, nisën negociatat me Malagan që nuk e federoi futbollistin me ekipin e parë në këtë edicion.

Gjithçka u përshpejtua nga zërat se Bare ishte në kontakt edhe me klube italiane e greke, duke shtyrë Espanjol që sot të gjente akordin me Malagan për transferimin e futbollistit të përfaqësueses shqiptare.

Sipas mediave spanjolle, akordi për transferimin e tij parashikon pagesën e 2 milionë eurove, ndërsa një milion euro tjetër do të paguhet në formë bonusesh në varësi të paraqitjeve e arritjeve të skuadrës. Në orët në vijim pritet prezantimi i Bares, i cili parashikohet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë 4 apo 5-vjeçare në klubin e ri.
Shtuar më 21/09/2020, ora 18:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori