Interi merr lajmin e mirë, Sensi rikuperohet nga dëmtimi
Pas dy lajmeve të këqija për dëmtimet e D’Ambrosios dhe Sanchez me kombëtaret, Antonio Conte dhe tifozët e Interit kanë marrë edhe një lajm shumë të mirë.

Zbulimi i këtij sezoni, mesfushori italian Stefano Sensi është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi muskular që pësoi në sfidën ndaj Juventusit dhe është në dispozicion të trajnerit.

Këtë të enjte, Sensi, autori i 3 golave në këtë sezon të Serie A, u stërvit rregullisht me grupin.

Gjithsesi gjasat më të mëdha janë që ai ta nisë nga stoli sfidën ndaj Sassuolos, me Gagliardinin që pritet të marrë vendin e tij në formacionin titullar.

Conte nuk dëshiron ta rrezikojë që nga fillimi Sensin, duke patur parasysh që të mërkurën Interi ka një ndeshje vendimtare për vazhdimësinë në Champions League, atë ndaj Borussias së Dortmundit në “San Siro”.

Ndërkohë, në harkun 21 ditëve ka një kalendar shumë të ngjeshur, pasi luan në total 7 ndeshje dhe Sensi është i domosdoshëm për skuadrën zikaltër në këtë periudhë.
Shtuar më 18/10/2019, ora 14:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori