Ja 5 pikat më të forta të kombëtares shqiptare të futbollit
“SOOFOOT.com” ka publikuar një artikull ku rendit ato që cilësohen si 5 pikat më të forta të kombëtares shqiptare të futbollit, në formacion, por jo vetëm.

I pari është Etrit Berisha, për të cilin shkruhet se nuk dihet ende me saktësi se cilin version të tij do të prezantojë në fushën e lojës.

“Mund të thuhet se nuk siguron edhe aq tifozët. Një herë është brilant, një herë bën gabime të tmerrshme. Saktësisht si në ndeshjen e hapjes kundër Zvicrës: bëri një gafë në golin e tyre në fillim të takimit e pastaj ishte heroik në vazhdimin e ndeshjes. Pikat e forta janë aftësia në duelet, një kundër, një me sulmuesit kundërshtarë dhe qetësia në gjuajtjet e penalltive, të cilat i pret vazhdimisht. Pika e dobët janë daljet në topin në ajër dhe nuk është i sigurt në goditjet standarde. Një lajm i mirë për Dimitri Paje”.

Emri i dytë në listë është ai i Taulant Xhakës, për të cilin tregohet e gjithë ecuria e tij me klube dhe si në ndryshim nga vëllai, Graniti, zgjodhi të luante për Shqipërinë.

“Një mesfushor që shquhet për përkushtimin, Taulanti mund të luajë gjithashtu në mbrojtje. Ndaj nuk është çudi që De Biazi të vendosë ta kthejë pak hapa prapa për të mbuluar mungesën e Canës”.

I treti është Elseid Hysaj, idhulli i ri i tifozerisë shqiptare. Në përshkrimin e portalit francez, ai cilësohet si “më italiani mes shqiptarëve”. Defekti i tij vlerësohet paaftësia për të shënuar gol, pasi ka realizuar vetëm 1 të tillë në 173 ndeshje si profesionist.

Në listë nuk mund të mungonte Lorik Cana. “Dëshironte të përjetonte edhe një herë emocionet e forta të “Velodrom”, si në periudhën kur u bë i famshëm te Olimpiku i Marsejës. Por ndaj Zvicrës bëri atë që di të bëjë më mirë: dy faulle të evitueshëm, dy kartonë të verdhë, një i kuq dhe si rrjedhojë një pezullim përballë Francës. Ndaj Cana do të shijojë ndeshjen nga tribuna. Por mund të themi se ndaj Zvicrës, Shqipëria luajti më mirë pa Canën në fushë, ndaj të gjithë duken të lumtur, edhe kaviljet e futbollistëve francezë”.

I fundit është Xhani De Biazi. I përshkruar si “trajneri i zakonshëm që sheh në pankinat e shumë klubeve mesatare apo të vegjël në Serinë A dhe B”, shpjegohet se si karriera e tij ndryshoi plotësisht me Shqipërinë.

“Pas kualifikimit u rendit i 6 në klasifikimin e IFFHS për trajnerët e kombëtareve dhe mori një çmim special nga Federata Italiane. As nuk mund ta mendojmë se çfarë çmimi mund të marrë nëse ia del të kalojë fazën në grupe në Europian”, shkruan portali francez. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2016, ora 10:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori