Ja grupet e Champions, Roma në grupin e "ferrit"

Pëlqej
Liverpooli rikthehet pas katër vitesh në Champions League dhe menjëherë është caktuar në grup me kampionin e kësaj gare, Real Madridin.

Shorti i garës evropiane, i hedhur sot në Monaco, po ashtu ka nxjerrë edhe disa sfida tjera shumë interesante për fazën e grupeve.

Shorti ka caktuar në të njëjtin grup dy prej skuadrave më të fuqishme evropiane, kampionin e Gjermanisë, Bayern Munich, dhe atë të Anglisë, Manchester City. Dy gjigantët evropianë në grupin E, që mund të quhet edhe grupi i vdekjes, shoqërohen edhe nga CSKA Moska dhe skuadra italiane Roma.

Gara do të sjellë edhe dy sfida anglo-gjermane, me Arsenalin që është caktuar në grupin D së bashku me Borussia Dortmundin, me të cilën skuadër është përballur tre herë në katër sezonet e kaluara, dhe me Chelsean që do të duhet të përballet me Schalke në grupin G, sfidë të cilën po ashtu e pamë sezonin e kaluar.

Topçinjtë kanë në grupin D edhe Galatasarayn dhe Anderlechtin, derisa Blutë në grupin G kanë Sportingun e Lisbonës dhe debutuesin e garës, skuadrën sllovene Maribor.

Kampioni në fuqi i garës, Real Madridi në fillim u duk sikur do ta ketë më lehtë pasi u caktua në grupin B së bashku me Baselin, por vazhda e shortit e nxori në këtë grup edhe gjigantin anglez, Liverpoolin, që rikthehet në garë pas disa vitesh mungesë. Ata kanë në grup edhe skuadrën bullgare Ludogorets.

Finalisti tjetër dhe kampioni i La Liga, Atletico Madrid, do të duhet të përballet me kampionin e Serie A, Juventusin. Ata janë caktuar në grupin A, ku përballë do të kenë edhe Olimpiakosin dhe Malmon.

Ndërkohë Zlatan Ibrahimovic do të përballet me ish-skuadrën e tij, Barcelonën, e cila është caktuar në grupin F të Championsit, së bashku me PSG-në. Në këtë grup është caktuar edhe Ajaxi dhe APOEL.


Grupi A: Atletico Madrid, Juventus, Olympiakos, Malmo

Grupi B: Real Madrid, Basel, Liverpool, Ludogorets

Grupi C: Benfica, Zenit, Bayern Leverkusen, Monaco,

Grupi D: Arsenal, Dortmund, Galatasaray, Anderlecht

Grupi E: Bayern Munich, Manchester City, CSKA Moska, Roma

Grupi F: Barcelona, Paris Saint-Germain, Ajax, APOEL

Grupi G: Chelsea, Schalke, Sporting, Maribor

Grupi H: Porto, Shakhtar Donetsk, Athletic Bilbao, BATE
Shtuar më 28/08/2014, ora 19:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori