Kalamajtë e Ajax-it "zgërdhijnë" Ronaldon me shokë (VIDEO)
Ajax-i ka fituar 2-1 në Torino dhe ka eliminuar Juventus-in nga Champions League me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

Ashtu siç kanë bërë në fazën e 1/8-ve kundër Real Madrid, holandezët kanë përmbysur parashikimet dhe janë kualifikuar në gjysmëfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Një arritje e jashtëzakonshme dhe e merituar për lojtarët e Ten Hag, të cilët i kanë dhënë një leksion futbolli kampionëve në fuqi të Italisë.

Dhe të mendosh se kanë qenë torinezët ata që kanë kaluar në avantazh me të përhershmin Ronaldo në minutën e 28-të, i cili është konfirmuar i pandalshëm në fazën me eliminim direkt të Champions-it, në të cilën ka shënuar 65 gola, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e kompeticionit.

Festa e vendasve ka zgjatur shumë pak, me miqtë që kanë barazuar në minutën e 34-t me Van de Beek, i cili është mbajtur në lojë nga De Siglio, i zgjedhur titullar nga Allegri në vend të Cancelo.

Në pjesën e dytë, e cila ka nisur me një lajm të keq për bardhezinjtë, që kanë humbur Dybala për shkak dëmtimi, ka ardhur goli i dytë i Ajax-it, i realizuar nga De Ligt (67'), i cili është bërë holandezi më i ri që shënon gol në një ndeshje të fazës me eliminim direkt të Champions League (19 vjeç e 246 ditë).

Ziyech ka realizuar edhe golin e tretë për miqtë, por që është anuluar për një pozicion jashtë loje. Shpresat e Juventus janë shuar në minutën e 91-të, kur protestat për një penallti janë hedhur poshtë nga VAR.

Mrekullia e Ajax-it vazhdon, Champions mbetet një ëndërr e paarritshme për Juventus-in. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2019, ora 23:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori