"Kam shumë frikë", zbulohet audio-mesazhi i fundit nga Emiliano për miqtë
Pëlqej
Futbollisti i Cardiff Cityt, Emiliano Salah rezulton i zhdukur prej tre ditësh.

Ai dyshohet të ketë humbur jetën, pasi avioni i tij ka dalë nga radari në veri të Alderney në Les Casquets, rreth orës 20:23 të të hënës, vetëm një orë pas nisjes nga aeroporti Atlantique i Nantes.

Avioni privat Piper PA-46 Malibu ishte nisur për në Cardiff, ku duhej të vazhdonte karriera e sulmuesit argjentinas, por nuk mbërriti kurrë në destinacion.

Së fundmi faqja argjentinase, Ole.com.ar, ka publikuar një audio mesazh, i cili thuhej se është dërguar në një grup në WhatsApp të përbërë nga miqtë dhe shokët e 28-vjeçarit.

“Përshëndetje vëllezër të vegjël, si jeni njerëz të krisur? Vëlla, jam vërtet i lodhur, isha këtu në Nantes duke bërë gjëra, gjëra, gjëra dhe gjëra, dhe nuk po ndalen kurrë, nuk ndalen, nuk ndalen”.

“Jam në një aeroplan që duket se po shkatërrohet dhe po shkoj në Cardiff, çmenduri, nesër veç fillojmë, kurse pasdite nisim stërvitjen, djema, në ekipin tim të ri”, ka thënë fillimisht ai.

Ndërsa më pas, siç transmeton Daily Mail, Sala ka thënë: “Si jeni njerëz, krejt mirë? Nëse nuk merrni ndonjë lajm nga unë brenda një ore e gjysmë, nuk e di nëse duhet ta dërgoni dikë të më gjejë… Sa shumë frikë kam!”.

Sala ishte dërguar në aeroport nga miku i tij, mbrojtësi i Nantes Nicolas Pallois, të cilit i kishte thënë edhe para nisjes se kishte frikë nga ai udhëtim.

Me të njëjtin aeroplan, sulmuesi kishte udhëtuar nga Cardiffi në Francë të dielën dhe ishte ankuar për pasiguri.

Porsa kishte hipur në aeroplan për t’u kthyer në Angli, futbollisti u kishte shkruar shokëve të tij se aeroplani bënte zhurma të çuditshme.

Policia Guernseyt i ka gjetur disa objekte që lundronin mbi ujë, mirëpo nuk ka arritur të konfirmojë nëse kanë qenë nga ai aeroplan.

Në ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit mbrëmjen e së martës i kanë pezulluar kërkimet, të cilat kanë rifillojnë sot në mëngjes. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2019, ora 08:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori