Kriza politike SHBA – Iran detyron yllin e Ajax-it të "braktisë" stërvitjen
Mbrojtësi anësor amerikan i Ajaxit, Sergino Dest, u largua nga kampi stërvitor i klubit në Doha të Katarit, pasi që kishte qenë i shqetësuar nga situata politike në Lindjen e Mesme.

Klubi holandez e konfirmoi se 19-vjeçari kërkoi leje të kthehet në Amsterdam shkaku i situatës së tensionuar në regjion, pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, në Bagdad më 3 janar.

Kriza politike mes vendeve i ka ngritur shqetësimet për një luftë të mundshme në Lindjen e Mesme, edhe pse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi të mërkurën se nuk do të kishte përgjigje ushtarake ndaj sulmeve iraniane në bazat amerikane në Irak.

E gjitha kjo situatë bëri që ekipi kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i anulojë planet për ta mbajtur një kamp në Katar, një ditë pasi sulmit me dron që e la të vrarë Soleimanin dhe nëntë pasagjerë të tjerë në aeroplanin në të cilin ai ndodhej.

Megjithatë, Ajaxi ka qenë duke u stërvitur në Doha që gjashtë ditë, në përgatitje për pjesën e dytë të sezonit në ligën holandeze, Eredivisie. Mirëpo, futbollisti amerikan Dest s’ishte ndierë rehat dhe kërkoi leje për t’u kthyer në Holandë.

“Sergino Dest ka kërkuar të largohet nga kampi stërvitor i AjaxitKatar. Ai nuk ndihej rehat. Ajaxi e kupton kërkesën e tij dhe ia ka aprovuar atë. Mbrojtësi i krahut të djathtë do t’i bashkohet grupmoshave të Ajaxit në Amsterdam”, shkruhet në njoftimin e klubit holandez.

Ajaxi ishte kritikuar për vendimin për të shkuar në Katar, shkaku i problemeve politike në regjion dhe shkeljeve të drejtave të njeriut. Organizata ndërkombëtare si Human Rights Watch dhe Amnesty International i kërkuan klubit të qëndrojë larg Katarit.
Shtuar më 09/01/2020, ora 13:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori