Largimi i parë, Ujkani le Shqipërinë për Kosovën
Pëlqej
Të shohësh Etrit Berishën në portën kuqezi është kënaqësi për tifozët shqiptarë, por ta kesh atë rival për një vend titullari, kjo mund të të demoralizojë. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet që Samir Ujkani do lërë Kombëtaren e Shqipërisë për të mbrojtur ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës. Portieri nga Vushtrria i ka thënë OK-in trajnerit Albert Bunjaki dhe kështu ai pritet të mbrojë portën e përfaqësueses në ndeshjet miqësore, duke filluar që nga ajo më 5 mars kundër Haitit.

Kontaktet ndërmjet Bunjakit dhe Ujkanit kanë nisur që prej lejes nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Lajmi është publikuar dje nga një media franceze, e cila e ka trajtuar me bujë të madhe faktin që Kosova do të luajë miqësoren e parë zyrtare. Aty thuhet që përpos tij, Kosovës mund t’i bashkohet edhe futbollisti i Chievos që momentalisht luan për Finlandën, Përparim Hetemaj.

Gazeta, gjatë ditës së djeshme ka provuar të marrë një konfirmim edhe nga ana e Ujkanit, por kontakti me të ka qenë i pamundur. E kotë ka qenë edhe tentativa për të kontaktuar me trajnerin Albert Bunjaki, i cili nuk ka pranuar të sqarojë se kur do të thirret Ujkani dhe nëse zgjedhja e portierit është definitive.

FSHF Zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë mbetur të befasuar nga lajmi dhe kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë kontakt zyrtar me portierin. "Ujkani është në planet tona dhe nuk kemi biseduar për ndonjë largim të mundshëm të tijin. Nuk mund të them më tepër sesa kaq, pasi më parë duhet të flasim me futbollistin" ka thënë menaxheri i përfaqësueses, Alban Bushi, dje për "Panorama Sport". /albeu.com/



Shtuar më 13/02/2014, ora 11:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori