Legjenda e Partizanit: Shqiptarët të vijnë në Beograd
Pëlqej
Xhevat Prekazi kur luante për Partizanin e Beogradit
"Është vetëm një ndeshje futbolli dhe tifozët shqiptarë duhet të vijnë Beograd, por edhe serbët të shkojnë në Shqipëri kur ndeshja të luhet atje". Kështu është shprehur për gazetën kosovare "Arena" ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Xhevat Prekazi. Legjenda e klubit serb dhe Galatasaray-it vlerëson se përballja e 14 tetorit, Serbi-Shqipëri duhet të shikohet vetëm si ndeshje futbolli.

Gjithsesi, ajo është më shumë se një ndeshje futbolli, për shkak të historisë që kanë shqiptarët dhe serbët. Që kur u hodh shorti është folur shumë për këtë ndeshje, madje edhe për udhëtimin e tifozëve shqiptarë në Beograd dhe serbëve në Shqipëri. Ndeshja konsiderohet e rrezikshmërisë së lartë, ndërsa për legjendën kosovare të futbollit, Xhevat Prekazi, nuk duhet vendosur ky etiketim. Prekazi prej vitesh jeton në Beograd.

"Është vetëm një ndeshje futbolli dhe tifozët shqiptarë duhet të vijnë Beograd", shton Prekazi, të cilin e konsiderojnë si një legjendë edhe në Serbi. Të tillë e cilësojnë edhe ata të Galatasaray-it në Stamboll.

57-vjeçari ka lindur në Mitrovicë, teksa karrierën e ka nisur te skuadra e Trepçës, ku luajti në vitet 1970-75. Mesfushori, i cili është vlerësuar për goditjet "vrasëse", iu bashkua Partizanit të Beogradit në vitin 1975, teksa luajti deri më 1984. Ai u aktivizua edhe për Hajdukun e Splitit për një edicion, kurse "bumin" e bëri te skuadra turke në vitet 1985-1991.

Në vijim të prononcimit, Prekazi tha se nuk është duke ndjekur ato çfarë thonë mediat serbe.

"Nuk e di se si po përjetohet ndeshja në media, pasi e vërteta është se unë nuk lexoj gazeta. Gjithsesi, duhet të shikohet vetëm si ndeshje futbolli", përfundoi Prekazi, i cili prej disa vitesh punon në grupmoshat e skuadrës OFK Beograd.

Kohë më parë ka marrë ofertë për të drejtuar akademinë e Galatasaray-it, por marrëveshja nuk u finalizua. /albeu.com/



Shtuar më 30/09/2014, ora 14:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori