Luftëtari bllokon Kukësin (VIDEO)
Luftëtari ia ka dalë të ndalë në barazimin 0-0, Kukësin kryesues. Verilindorët provuan për të gjithë 90 minutat por në fund nuk ia dolën ndaj bluzinjve.

Gjirokastritët e dhanë sinjalin që në startin e pjesës së parë se nuk ishin futur në fushë të dorëzuar. Përkundrazi, arritën të krijonin volum loje, ndërsa kulmi erdhi në minutën e 36 kur Luftëtari arriti të gjente rrugën e rrjetës me anë të Çelës.

Një gol në pamje të parë i rregullt, megjithatë gjyqtarët e sfidës nuk menduan kështu. Fillimisht, anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje, ndërsa më pas kryesori Bastari akordoi faull në dëm të Obanor. Vendime të pajustifikueshme çka sollën protestën e vendasve, por arbitri përfundimisht e anuloi golin. Në këtë mënyrë u mbyllën 45 minutat e para. Ndërkohë, fraksioni i dytë i lojës ishte me një ritëm tejet të lartë dhe të dyja skuadrat patën raste të arta për të kaluar në epërsi.

Momenti më i mirë ishte për Et’hemin i cili goditi nga jashtë zone teksa sfera u ndal në tranversë. Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0. Kukësi ndalet teksa mbetet në krye të Superiores, ndërsa nga ana tjetër gjirokastritët marrin një pikë shprese e morali, ndërsa zhvilluan një ndeshje për t’u duartrokitur.
Shtuar më 22/01/2020, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori