Napoli-Milan, superpërballje për kreun në "San Paolo"
Napoli-Milan është supersfida e javës së së 7-të në Serie A, një sfidë për kreun e renditjes mes dy skuadrave që e kanë nisur më mirë nga të gjithë këtë sezon.

17 pikë ka grumbulluar Milani i Piolit në 7 ndeshjet e para duke mos njohur humbje, ndërkohë Napoli numëron 14 pikë në tabelë, edhe pse në fushë ka 5 fitore dhe 1 humbje, atë ndaj Sassuolos në 6 takime. Gattuso do të përballet me të shkuarën e tij sot në mbrëmje në San Paolo në një ndeshje që pritet të dhurojë emocione të mëdha, ndërsa spektakli parashikohet i garantuar kur dihet që në fushë do të zbresin emra si Ibrahimovic apo Insigne e Mertens.

Në 5 përballjet e fundit direkte statistikat kanë qenë në baraspeshë totale me nga një fitore për secilin ekip dhe 3 barazime.

Milani në këtë ndeshje do të drejtohet nga Daniele Bonera pasi Pioli dhe ndihmësi i tij janë me koronavirus, ndërkohë qe te Napoli, Gattuso nuk ka në dispozicion sulmuesin Osimhen si dhe Hysajn e Rrahmanin, të 3 pozitive me Covid-19. E diela e Serie A në Supersport nuk është vetëm Milan-Napoli pasi më herët në orën 15:00, do të jetë radha e Interit dhe Romës. Zikaltrit do të synojnë te rikthehen te suksesi në ndeshjen shtëpiake ndaj Torinos, ndërkohë që Roma pret në Olimpico Parmën, në një takim ku pavarsisht mungesave do të synojë vetëm 3 pikët.
Shtuar më 22/11/2020, ora 09:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori