"Nazet" e De Biasit, FSHF kontakte me Peter Pacult
P. Pacult - G. de Biasi
Armando Duka dhe Gianni De Biasi thonë se janë afër marrëveshjes, por këtë e thonë që prej muajit gusht… Asnjëra nga palët nuk dëshiron të tërhiqet nga kërkesat e veta. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit i ka bërë një ofertë prej 10 % rritje të kontratës 2-vjeçare, ndërsa trajneri italian mendon se meriton të paktën 30 %. Shifra që i ndan dy palët është afërsisht 100 mijë euro.

Dhe teksa Duka dhe De Biasi me diplomaci shfaqen optimistë në publik, pas kuintave të dy janë duke menduar për planin "B", shkruan "Panorama-Sport".


Miqtë e vjetër Në ndeshjen kundër Islandës u shfaq pranë zyrtarëve të FSHF-së një ndër bashkëpunëtorët e avokat Skënder Fanit, i cili punon dhe jeton në Austri. Ky i fundit njihet tashmë në qarqet futbollistike si njeriu që ka negociuar marrëveshjet mes FSHF-së dhe Oto Bariç, Ari Hann dhe Josip Kuzhe. Disa syresh thonë se bashkëpunëtori i Fanit është parë ditët e fundit sërish në Shqipëri… Një sinjal i qartë se Duka po mendon për një trajner tjetër, në rast se dështon rinovimi me De Biasin.

Peter Pacult Ish-trajneri i njohur i Rapidit të Vjenës është lakuar në orët e fundit si një kandidat i mundshëm nëse italiani nuk do të firmosë. Austriaku, një njohje e vjetër e Hamdi Salihit, edhe për shkakun se për muaj të tërë e la në stol pa asnjë motiv shkodranin te Rapidi, është i pari në listën e atyre me të cilët mund të hyhet në negociata. Flitet se ai mund të mbërrijë në Tiranë të mërkurën për negociata zyrtare me FSHF-në.

6 Pikë Duka ka thënë se nuk do t’i japë asnjë qindarkë më shumë nga oferta e fundit që i ka bërë italianit, pra 10 % të rritjes së kontratës. E, megjithatë, burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se kreu i FSHF-së ka njoftuar De Biasin se mund ta çojë deri në 15 % rritjen e kontratës, nëse Shqipëria merr gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit.


Manovrat e italianit Gianni De Biasi ka thënë sistematikisht se dëshiron të rinovojë me Shqipërinë, por ndërkaq nuk ka munguar interesimi i klubeve të huaja për trajnerin. "Po, është e vërtetë, kam pasur disa oferta së fundmi, madje nga klube të njohura. Një prej tyre e kam bërë publike (Olympiakos). Megjithatë, unë kam preferuar të jem i ndershëm dhe të mos hyj në negociata zyrtare me askënd për aq kohë sa jam trajner i Shqipërisë", deklaroi edhe dje tekniku.

Megjithatë, e vështirë të besohet se 20 ditë para skadimit të kontratës, menaxherët e De Biasit nuk janë duke shqyrtuar mundësi të tjera…/albeu.com/

Shtuar më 08/10/2013, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori