Nexhmije Hoxha varroset në krah të Enverit, mungojnë i biri dhe mikeshat e ngushta (FOTOLAJM)

Për tri orë me radhë u zhvilluan dje në Tiranë homazhet për të përcjellë në banesën e fundit Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit Enver Hoxha.

Në praninë e dhjetëra qytetarëve e miqve të saj, ceremonia mortore u zhvendos në varrezat e Sharrës, ku i ishte rezervuar një vend në krahë të të shoqit. Mungoi në këtë ndarje të fundit i biri, Sokoli, me të shoqen Liljanën, dhe po ashtu mikeshat e ngushta të Nexhmijes, me të cilat ndau pushtetin për dekada.

I vetmi që ka folur për jetën dhe veprën e Hoxhës, ka qenë Gjik Kurtiqi, aktualisht sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Tre kryetarët e partive komuniste, PPSH-së, Partisë “8 Nëntori” dhe Partisë Komuniste Shqiptare, respektivisht, Bardhi Azisi, Preng Cuni dhe Marko Dajti, të pranishëm në ceremoni, shprehën indinjatën e tyre për mungesën e ish-zyrtarëve të lartë të nomenklaturës komuniste në përcjelljen e gruas së Enver Hoxhës.

Madje, aty për aty, vunë në dukje disa nga emrat e tyre. Ata e vlerësuan të pajustifikuar mungesën e Vito Kapos, Lenka Çukos, Themie Thomait e Tefta Camit në lamtumirën e Hoxhës, e cila, veç të tjerave, ka shënjuar dhe karrierën e tyre, në krye të nomenklaturës komuniste.

E vërteta është se në ceremoninë mortore të së vesë së diktatorit nuk u shfaq asnjë nga ish-zyrtarët e lartë të kupolës së dikurshme.

Akoma më indinjuese për të pranishmit ishte mungesa e Sokolit, djalit të Hoxhës me të shoqen, të cilët, siç u mësua aty, kishin 15 vite që ishin ndarë me familjen e Enverit. Në përcjelljen e Hoxhës morën pjesë dhe një grup të moshuarish nga Kosova dhe Dibra e Madhe, që u shfaqën me flamurin kombëtar dhe portretin e Enverit në duar, shkruan Panorama.

Gjatë gjithë kohës familjarët u përkujdesën t’i qëndrojnë larg medias dhe komenteve gjithëfarëllojëshe të të pranishmëve.

Nexhmije Hoxha u nda nga jeta dy ditë më parë në moshën 99-vjeçare, në banesën e saj në Laprakë të Tiranës. Qysh me krijimin e Partisë Komuniste shqiptare, ajo ka qenë e zgjedhur në organet e larta të saj, ndërkohë që për shumë vite ka kryer detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste. Si njeriu dhe bashkëpunëtori më i afërt i shefit të regjimit, në periudhën postkomuniste është akuzuar për ndikimin e saj në krimet e diktaturës.
Shtuar më 28/02/2020, ora 11:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori