Nis rindërtimi i stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" (FOTO LAJM)

Shqipëria luan më 5 mars ndeshjen miqësore kundër Maltës, por Federata Shqiptare e Futbollit mesa duket e ka mendjen në Elbasan, atje ku pritet që sot të fillojë rikonstruksioni i stadiumit "Ruzhdi Bizhuta", i cili do të jetë "foleja" e re e kuqezinjëve.

Shefi i Zyrës Rajonale në Elbasan, Artim Kovaçi, tregon deri në detaje, në një intervistë për të përditshmen sportive "Sport Ekspres", se çfarë do të ndodhë me stadiumin e ri. Dy janë detajet që ende nuk janë përcaktuar: ngjyra e stolave dhe emri i stadiumit.

Ka shumë mundësi që stolat të jenë një pjesë verdheblu dhe një pjesë kuqezi për të bërë një përqasje mes ngjyrave të përfaqësueses dhe atyre të Elbasanit. Pjesa tjetër është gjithçka gati. "Tulla e parë" vendoset sot. /albeu.com/

Intervista:

- Kur nisin punimet në stadiumin e Elbasanit?
- Mund të kishin nisur që sot, por disa ndryshime të vogla në projekt kanë bërë që punimet të nisin ditën e hënë. Besoj se do të nisin pikërisht në fillim të javës së ardhshme.

- Kush është firma që do të realizojë punimet?
- Të gjitha punimet Brenda në stadium do të realizohen nga një firmë e fuqishme, e cila ka fituar tenderin, ndërsa punimet jashtë stadiumit, që përkojnë me vendet e parkimit dhe zgjerimin e rrugës do të realizohen nga Bashkia Elbasan.

- A do të ndryshojë emri i stadiumit?
- Ka një ide për ta quajtur “Elbasan Arena” por personalisht më duket një vendim i cili mund të merret kurdoherë dhe nuk pengon punimet.

- Sa vendësh do të jetë stadiumi?
- Besoj se do të arrijmë në 12 mijë vende të ulura. Mund të bëhej dhe më shumë por në tribunë do të krijohen ambientet për sektorin VIP dhe për gazetarët dhe kësisoj ulet disi numri. Megjithatë, më duket një numër i mjaftueshëm.

- A do të jetë i tëri me vende të ulura?
- Po, patjetër.

- Çfarë ngjyrash do të kenë stolat?
- Ndoshta një pjesë verdheblu dhe një pjesë kuqezi. Ky është një detaj që zgjidhet gjithashtu lehtë.

- Kush do ta administrojë stadiumin pas përfundimit të punimeve?
- FSHF dhe Klubi i Elbasanit. Stadiumi do të jetë në dispozicion të skuadrave përfaqësuese falas kurdoherë.

- Sa është kostoja totale?
- Nga projekti që kemi në dorë, rreth 1 milionë e 350 mijë euro.

- A do të jetë i tëri i mbuluar?
- Jo, do të jetë vetëm tribuna kryesore në një gjatësi prej 100 metrash.

- A do të ketë një tabelë të re elektronike dhe ndriçim?
- Patjetër që do të jetë ndriçim i cilësisë së parë dhe një tabelë elektronike motiro që kushton 100 mijë euro.

- Fusha do të bëhet nga e para?
- Po, po, e gjitha nga e para. Vetëm tapeti mund të kushtojë 70-80 mijë euro që është cilësi shumë e lartë.

- Çfarë do të ndodhë me tribunën kryesore?
- Në tribunën kryesore do të ketë dy restorante të mëdha dhe një bar i madh për sektorin VIP. Gjithashtu, do të ketë dhe një bar të madh në tribunën e gazetarëve.

- Sa vende do të ketë tribuna VIP?
- Ajo do të ketë 400 vende, ndërsa tribuna e gazetarëve do të ketë 100 vende të programuara.

- A do të bëhen punimet nga e para në tribunë?
- Po, sepse ambientet e brendshme do të realizohen të gjitha si pasojë e rregullave të UEFA-s. Edhe dhomat e zhveshjes do të ndryshojnë. Madje do të ndryshojë dhe fasada me porosi të vetë Kryeministrit.

- Çfarë nënkupton kjo?
- Do të jetë një fasadë e tëra në xham, do të jetë për mendimin tim një gjë shumë e bukur dhe e veçantë.

- A do të ketë ambiente të tjera për tifozët?
- Po, madje do të ketë bare dhe në tribunën përballë.

- Çfarë aktivitetesh do të luhen këtu?
- Derisa të ndërtohet stadiumi i ri në Tiranë do të luajë skuadra përfaqësuese dhe me siguri edhe Kombëtaret e Moshave. Gjithashtu, besoj se këtu mund të luajnë dhe klubet shqiptare në Europë, në tur të tretë, të katërt dhe në ndeshjet në grupe nëse kualifikohen.

- Pra, do të jetë një stadium i licensuar edhe për këto nivele?
- Po, kemi marrë "Ok"-in nga UEFA. Delegatët e UEFA-s e kanë parë nga afër projektin dhe kanë dhënë "Ok"-in që gjithçka të realizohet sipas projektit. Shqipëria për herë të parë do të ketë një stadium edhe për ndeshje ndërkombëtare në grupet e Kupave të Europës.

- Sa mund të zgjasë rikonstruksioni?
- Nuk dua ta quaj rikonstruksion. Për mua po e ndërtojmë nga e para. Jam i bindur që në fund të gushtit do të jetë gjithçka gati dhe Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë për "Francë 2016" në këtë stadium.

- Çfarë do të ndodhë me ambientet jashtë stadiumit?
- UEFA ka kërkuar 400 vende parkimi dhe ne do t’ia plotësojmë këtë dëshirë. Do të zgjerohet rruga me 3-4 krosi dhe do të ketë ndriçim. Madje dhe rruga e dërgimit në stadium pritet të rregullohet. Besoj se punimet në këtë pjesë do t’i bëjë Bashkia e Elbasanit.

- Ku do të luajë Elbasani në pjesën e mbetur?
- Mendoj se do të luajmë edhe ndeshjen e fundit këtë fundjavë dhe më pas do të luajë jashtë fushës sonë në fushë asnjanëse.

- Ndërkohë, skuadra e Elbasanit nuk është në Superiore?
- Besoj se do të ngjitemi dhe stadiumi ka për t’i dhënë shumë gjallëri qytetit dhe ekipit. Jam i bindur për këtë.

- A mund të luajnë dhe skuadra të tjera këtu?
- Koha nga Tirana deri në Elbasan është e shkurtër. Ndoshta për ndonjë edicion dhe ekipet e kryeqytetit mund të luajnë në këtë stadium. Jam i bindur që do të preferojnë këtë impiant.

- Ndërkohë është bërë ndonjë punim paraprak?
- Po, kanë mbërritur teknikët për të instaluar që tani fibrat optikë të transmetimit. Nga aty fillon puna!
Shtuar më 17/02/2014, ora 12:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori