Parisi mposht Barçën pa Ibran dhe Silvan (VIDEO)
Pëlqej
Paris Saint-Germaini ka mposhtur Barcelonën me rezultatin 3-2, edhe pse nuk kishtë në ekip dy lojtarët kryesorë, Ibrahimoviçin dhe Thiago Silvan.

Ishte një gjysmë e parë mjaft e bukur loje, e cila përfundoi me epërsi të skuadrës vendase (2-1).

Nuk kaluan shumë minuta në Parc de Princes dhe David Luiz zhbllokoi rezultatin (10’).

Vetëm një minut më pas do të vinte edhe përgjigja e miqve me Messin.

Në vazhdim, kampioni francez e ktheu epërsinë. Thiago Motta harkoi nga këndi, ndërsa Marco Verratti shënoi me kokë (26’).

Në gjysmën e dytë, nikoqirët e rritën më shumë diferencën e golave. Një harkim të ulët të Van der Wiel e konvertoi në gol Blaise Matuidi (54’).

Katalunasit e dramatizuan prapë ndeshjen duke e ngushtuar shumë shpejtë rezultatin. Harkimi i Alves nga e djathta u huq nga koka e Messit, por aty ishte Neymar për të shënuar (56’).

Rastet vazhduan deri në fund, ndërsa ekipi i Laurent Blanc e mbrojti rezultatin.

Në këtë ndeshje, Xavi Hernandez theu një rekord duke u bërë lojtari me më së shumti paraqitje në Ligën e Kampionëve kur u inkuadrua në minutën e 69-të në vend të Ivan Rakitic. Ai tash ka regjistruar 143 paraqitje në garën prestigjioze evropiane.

Takimi tjetër i Grupit F ndërmjet APOEL Nicosia dhe Ajax ka përfunduar me rezultat 1-1.
Shtuar më 30/09/2014, ora 22:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori