Partizani bie në Vlorë, Besa mposht Bylisin
Flamurtari i bën një mbyllje mjaft pozitive vitit 2013. Me një fitore minimale, por të merituar ndaj të kuqve të Hasan Likës, skuadra bregdetare vijon ngjitjen në klasifikim si me “ashensor”. Pas 16 javësh kampionat, kuqezinjtë e Gjokës kanë 24 pikë, duke iu afruar gjithnjë e më shumë kreut. Zhgënjen sërish Partizani, i cili u gjunjëzua para golit të Hair Zeqirit, shënuar që në fillim të ndeshjes, duke demonstruar mangësi të theksuara në fazën ofensive, por edhe një cekuilibrim të repartit të vet të spikatur, mbrojtjes.

Të kuqtë nuk luanin në stadiumin “Flamurtari” prej 9 majit 2005, duke u rikthyer aty si pjesë e Superiores, por dalë duarbosh. Kryeqytetasit nuk kanë shfrytëzuar dot as mungesat që kishin në formacion vendësit, si Sakaj, Arbri, Veliu dhe Mocka. Ka menaxhuar gjithcka me pragmatizëm dhe qetësi Flamurtari, që ka mbrojtur për minuta të tëra atë gol të artë të Zeqirit, duke konfirmuar ecurinë tejet pozitive të javëve të fundit, pas një fillimi të vështirë të kampionatit.

Vlonjatët kishin në dispozicion 10 milionë lekë premio për “kokën” e të kuqve, ndaj vec fitores kanë ngrohur edhe xhepat në këtë fundviti. Skuadra e Hasan Likës, nga ana tjetër, merr një tjetër goditje psikologjike pas asaj të mesjavës, kur u eliminua nga Kupa e Shqipërisë që në turin e dytë. Ky hap tjetër fals në Vlorë nuk ia rrezikoi vendin e dytë për momentin, por me këtë performancë dhe ecuri nuk mund të mbrohet gjatë. Vendi i dytë në vijimësi të kampionatit do të synohet edhe nga kuqezinjtë e Gjokës, por më së pari nga kurbinasit, durrsakët dhe kuksianët, që gjenden më afër.

Besa luajti dhe fitoi në fushën e vet me rezultatin 2-1. Skuadrës së Mërgjyshit i kërkohej medoemos maksimumi, gjë të cilën e arritën me mjaft mund dhe djersë, edhe pse kundërshtari luajti më shumë se një pjesë loje me 10 lojtarë, pasa daljes me karton të kuq të Llëngës. Pas disfatës së javës së shkuar në kryeqytet me Partizanin, verdhezinjtë kanë superuar me sukses një kundërshtar potencial, sikurse është Bylisi.

Mallakastriotët vinin me një moral të lartë, pas fitoresh radhazi në kampionat, por edhe kualifikimit në cerekfinale të Kupës së Shqipërisë, por me dy mungesa të rëndësishme, si Meto dhe Kuli. Boshllëku i tyre nuk është mbushur dot nga zëvendësuesit e tyre, ndaj edhe humbja s’u evitua dot. Me këtë fitore, skuadra kavajase barazohet në pikë me mallakastriotët, nga 21 të tilla, pa iu larguar ende zonës së ftohtë të renditjes. Zonë në të cilën janë të përfshira shumë skuadra, që nga Vllaznia e vendit të shtatë e poshtë. /albeu.com/




BESA-BYLISI 2-1
Golat: Ramadani 25, Sefa 60 / Gerxho 66

FLAMURTARI-PARTIZANI 1-0
Golat: Zeqiri 13

Shtuar më 22/12/2013, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori