PRAPASKENAT/ Nuk pranoi të luante kundër Francës, zbulohet pse u largua Berisha nga Kombëtarja
Etrit Berisha është larguar dje nga grumbullimi dhe vendin e tij e ka zënë pas pasdites së djeshme Gentian Selmani.

“Kemi një ndryshim në listën e Kombëtares A. Për arsye dëmtimi është larguar sot Etrit Berisha dhe vendin e tij e merr Gentian Selmani nga U-21”, njoftoi dje në mesditë zyra për shtyp e FSHFsë.

"Panorama Sport" ka zbuluar prapaskenën me portierin e SPAL-it. Ai ishte projektuar për të qenë titullar ndaj Francës dhe gazeta ka mësuar nga burime konfidenciale pranë kuqezinjve se portieri është tërhequr ditën e fundit para përballjes me “gjelat” dhe i ka kërkuar trajnerit që të mos jetë në fushën e lojës. Arsyeja për këtë kërkesë të tij ka qenë se nuk ndihet në 100% të formës, për shkak të dhimbjeve në këmbë.

Kjo kërkesë është pranuar nga Reja dhe stafi i tij dhe ditën pasi ekipi është kthyer në vendin tonë, stafi mjekësor ka vendosur të bëjë një kontroll të specializuar.

Në të vërtetë, është vënë re në rezonancë që bëhet fjalë për një inflamacion (enjtje), por gjithsesi jo e gradës sa për të ndaluar një portier të jetë në fushën e lojës. Dje është përcaktuar edhe nisja e tij drejt Italisë, ku rreth orës 12:00 ka lënë tokën shqiptare për të fluturuar jashtë vendit.

Shtuar më 10/09/2019, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori