Presidenti i Dinamos kërkon më shumë tifozë kundër Skëndërbeut
Pëlqej
Klubi gjigant ukrainas, Dinamo Kiev, po e vlerëson në maksimum ndeshjen e parë në grupet e Ligës së Europës, teksa të enjten do të presë Skënderbeun në orën 19:00. Në faqen zyrtare të klubit ukrainas është publikuar dje një intervistë e presidentit Ihor Surkis. Ky i fundit është i bindur se Dinamo Kievi do t’i nisë me fitore ndeshjet në grupe.

Në ndeshjen e fundit për kampionat kundër Oleksandrias, në stadium ishin vetëm 8500 tifozë. Në këto kushte, klubi prej dy ditësh po bën apel të fuqishëm për një pjesëmarrje të madhe në takimin ndaj Skënderbeut, raporton Panorama. Vetë presidenti i ukrainasve, Ihor Surkis, i pyetur për ndeshjen kundër skuadrës shqiptare, deklaroi:

“Unë jam mirënjohës për tifozët që na mbështetën në ndeshjen e fundit. Natyrisht do të doja të shihja më shumë tifozë në stadium, veçanërisht në ndeshjen e ardhshme kundër Skënderbeut. Kemi nevojë për mbështetjen e tyre”. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se gjatë merkatos së verës Dinamo ka humbur yllin e saj, Andri Jarmolenko, të cilin e shiti te Borusia e Dortmundit.

Gjigantët ukrainas kanë një traditë të madhe në Kupat e Europës, por gjithsesi kjo nuk do të thotë se ia kanë frikën ndeshjes së parë ndaj Skënderbeut. Sipas komenteve të mediave ukrainase, trajneri Aleksandër Khatskeviç u ka kërkuar përqendrim maksimal lojtarëve. “Na pret një ndeshje e vështirë, jemi të detyruar ta nisim me fitore ndaj Skënderbeut”, ka thënë kreu i pankinës ukrainase, i cili në të kaluarën ka drejtuar Kombëtaren e Bjellorusisë.

Shtuar më 12/09/2017, ora 13:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori