Presion nga klubet e mëdha, UEFA do të shtojë katër skuadra në Ligën e Kampioneve
UEFA duket se është gati të bëjë çfarëdo që i kërkojnë klubet e mëdha, aq sa po mendon edhe ndryshimin drastik të Ligës së Kampioneve.

Edhe pse deklaronin se Liga e Kampioneve është një aktivitet i pandryshueshëm për ta, drejtuesit e UEFA-s duket se janë dorëzuar përballë presionit që i bën ECA, shoqata e klubeve europiane, e cila ka një memorandum bashkëpunimi deri në vitin 2024.

Klubet me emër duan më shumë pjesëmarrje, të pakënaqur që shohin çdo vit ekipe të njohura në Angli, Itali, Spanjë apo Gjermani që detyrohen të luajnë në Ligën e Europës, ndërsa klube më pak të njohura zënë vendin e tyre në Ligën e Kampioneve.

Meqë UEFA po kërkon me çdo kusht një marrëveshje të re për të miratuar kalendarët ndërkombëtarë të aktiviteteve me ECA-n, kanë nisur negociatat për ndryshimin e Ligës së Kampioneve, që klubet e mëdha të sigurojnë sa më shumë të ardhura e shikueshmëri.

Pjesë e këtij plani të ri, sipas “Daily Telegraph”, është ndryshimi i formulës së aktivitetit, duke shtuar një tjetër grup nga edicioni 2024-25.

Kështu, nga 32 skuadra, faza në grupe do të bëhej me 36 skuadra, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të sigurohet kalimi në turin tjetër të aktivitetit, në fazën me eliminim direkt.
Shtuar më 19/10/2020, ora 20:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori