Rama: Nuk ka stadium të ri në kohë krize
Pëlqej
Shqipëria nuk do të ketë një stadium të ri, të paktën jo në një të ardhme të afërt, e cila presupozon vitin 2015, sikundër ka deklaruar kohë më parë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Lajmi jepet nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ashtu sikundër para zgjedhjeve të 23 qershorit ka përsëritur qëndrimin e tij në lidhje me ndërtimin e një impianti të ri në vend të "Qemal Stafa"-s.

Gjatë një bashkëbisedimi në rrjetin social "Twitter" me njerëz të shtresave të ndryshme në vend, Rama është pyetur edhe sa i përket ndërtimit të stadiumit, duke qenë se në Europë jemi aktualisht të vetmit pa një impiant bashkëkohor.

"Çfarë do të bëjmë për sportin? Do ta nisim fillimisht nga sporti për të gjithë. Por të premtosh stadiume në kohë krize ekonomike, është një sport i së shkuarës", ka thënë kryeministri i vendit.

Të njëjtën gjë pak e shumë e ka pohuar Rama edhe gjatë emisionit "Sport Debat" në Ora News, para zgjedhjeve, kur ai preku temën e rindërtimit të stadiumit të ri. Asokohe, Rama la të kuptohej se presidenti i FSHF-së dhe qeveria shqiptare, e cila është aksionare me 25 për qind në këtë objekt, po bënin një gafë qysh në projekt me "Qemal Stafa"-n. Nëse ai do zgjidhej kryeministër pas zgjedhjeve të përgjithshme, sikundër ndodhi, Rama tha se do ndryshonte projektin duke kërkuar që të mos shembet i gjithë stadiumi, por thjesht të rikonstruktohet dhe të sillet në kushtet e kërkuara nga FIFA dhe UEFA.

"Nëse sipas disa llogarive duhen 20 milionë euro për të rregulluar dhe ristrukturuar terrenet sportive në Shqipëri, atëherë unë pyes: për çfarë duhen 40 milionë euro për të ndërtuar një stadium të vetëm? Për mendimin tim, "Qemal Stafa" është një impiant që ka nevojë për një ristrukturim radikal. Por, të mos harrojmë që në të njëjtën kohë është edhe një monument kulture. Unë mendoj se me shumë më pak para, ne mund ta ristrukturojmë këtë impiant në kushte komode, pa u dashur që ai të shembet dhe të rindërtohet nga e para. Unë jam kundër projektit që kam parë për stadiumin, sepse mendoj se është një projekt mediokër. Është një projekt, i cili shkatërron një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. Pa dyshim duhet një stadium në kushtet komode, por pa e shkatërruar dhe duke rikonstruktuar atë stadium sikundër e kemi", pat thënë Rama. /albeu.com/



Shtuar më 03/10/2013, ora 11:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori