Rinovimi, De Biasi do 145 mijë euro shtesë
Pëlqej
G. de Biasi - A. Duka
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka kërkuar 30 % shtesë page për të rinovuar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit, ose thënë ndryshe 145 mijë euro më shumë nga sa ka kontratën aktuale. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, të cilat konfirmojnë nga ana tjetër se presidenti i federatës, Armand Duka, nuk ka ndër mend të lëshojë më shumë se 10 % shtesë rroge, ose thënë ndryshe 48 mijë e 400 euro, në të kundërt rinovimi mund të konsiderohet si një ëndërr, shkruan Panorama-Sport.

Në pamje të parë duket sikur palët janë shumë larg, paçka se në federatë janë gati të bindur se De Biasi në fund do të dorëzohet dhe do pranojë ofertën e presidentit Duka, kjo nisur edhe nga buxheti që ka në dispozicion FSHF-ja për stafin drejtues të ekipit kombëtar.

RROGA Gianni De Biasi merr 22 mijë euro neto në muaj si rrogë nga FSHF-ja, ose thënë ndryshe plot 484 mijë euro në një edicion kualifikimesh. Kontrata e tij nuk është 24-mujore, pra 2-vjeçare, por 22 mujore dhe skadon më 30 tetor 2013 (në fund të këtij muaji). Por jo gjithë kjo shumë shkon në xhepat e italianit, pasi me këto para ai duhet të paguajë edhe tri ndihmësit e tij italianë: Paolo Tramezzanin, Angelo Perenin dhe Alberto Belen. Këta të fundit, sipas informacioneve, përfitojnë 204 mijë euro, ndërsa 280 mijë euro është rroga neto e De Biasit, gjithnjë në një edicion kualifikimesh.

Kësaj shume, pra 484 mijë eurove u shtohen edhe rreth 55 mijë euro (pak a shumë), parà që federata ia ka vënë në dispozicion stafit teknik për udhëtime në vëzhgim të lojtarëve shqiptarë në kampionate të ndryshme.

Kështu, në total, "paketa De Biasi" i kushton federatës rreth 540 mijë euro në një edicion kualifikimesh.

RINOVIMI Ndërkohë, në takimin e bërë mes tyre në muajin gusht, De Biasi i ka kërkuar Dukës një rritje rroge prej 30 % nga kjo aktuale. Kjo do të thotë që italiani ka kërkuar 6600 euro më shumë në muaj, ose 145 mijë euro më shumë në totalin e përgjithshëm. Kështu, nga 540 mijë euro (përfshi edhe udhëtimet rreth 50-55 mijë euro), rroga e trajnerit duhet të shkojë te rreth 680 mijë euro në një edicion kualifikimesh (pra për EURO 2016). Nga ana tjetër, presidenti Duka i ka ofruar vetëm 10 % rritje rroge, ose më mirë 48.400 euro më shumë, çka totali do shkonte diku te 590 mijë euro.

Madje, nisur sigurisht edhe nga dy humbjet e fundit të skuadrës sonë ndaj Sllovenisë dhe Islandës, njëshi i FSHF-së ka qenë edhe më i prerë dhe i drejtpërdrejtë, duke saktësuar se nuk do lëvizë nga oferta e tij edhe me koston e largimit të De Biasit.

Mbetet tani të presim javën tjetër, kur italiani do jetë në Shqipëri për të parë nëse do ketë konsensus dhe një firmë të re mbi kontratën e De Biasit, apo Duka do vihet në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren. /albeu.com/



Shtuar më 02/10/2013, ora 12:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori