Ronaldo shpëton Juventusin dhe i prish festën Torinos (VIDEO)
Juventus-Torino, derbi i javës së 35-të të kampionatit italian, është mbyllur në barazim 1-1. Miqtë, që do të ngjiteshin në vendin e katërt në rast fitoreje, kanë shijuar tri pikët deri gjashtë minuta para fundit, kur Cristiano Ronaldo u ka prishur festën.

"Demat" nuk fitojnë një ndeshje të kampionatit në fushën e Juventus-it që nga 1995-a dhe pritja do të vazhdojë. Sfida e "Allianz Stadium" është hapur nga një gol i Lukic në minutën e 18-të të pjesë së parë. Mesfushori i miqve ka kapur në befasi Miralem Pjanic dhe ka dërguar topin në rrjetë me një djathtë perfekte nga brenda zonës së rreptësisë.

Kur dukej se ekipi i Mazzarri-t do të largohej me tri pikët nga fusha e rivalëve të përjetshëm, ka ardhur goli i Cristiano Ronaldo-s që ka fiksuar shifrat në 1-1. Portugezi, i lënë i pambuluar në zonën e rreptësisë në minutën e 84-t, ka mposhtur portierin Sirigu me një goditje me kokë.

21 realizime në Serinë A për CR7, që është vetëm dy gola larg kryesuesit të renditjes së golashënuesve, Fabio Quagliarella. /albeu.com/


Shtuar më 03/05/2019, ora 22:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori