Rrëfimi shokues i futbollistit të Sopotit: Luaj edhe pa ngrënë, kam 4 muaj pa rrogë
Katër muaj pa u paguar, i ushqyer keq dhe vuajtje deri në kufijtë e mbijetesës. Nuk bëhet fjalë për ndonjë azilant lufte në kampet e Europës apo për të pastrehë që janë të shumtë në rrugët e kryeqytetit shqiptar. Është historia e rrallë dhe rrëqethëse e një futbollisti nga Kameruni. Bëhet fjalë për Janot Tadjong, i cili në verë iu bashkua Sopotit të Librazhdit për të vazhduar karrierën

23-vjeçari, që luante në Tailandë, zgjodhi Shqipërinë me synimin që më tej të luante në ndonjë kampionat tjetër në Europë. Por, mesfushori nuk e kishte imagjinuar se, pas katër muajsh në vendin tonë, jo vetëm që nuk do të realizonte ëndrrën për të cilën kishte ardhur, por do të përfundonte deri në pikën për të diskutuar mbijetesën.

“Dy javë përpara ndeshjes së fundit me Turbinën kam mbijetuar duke ngrënë çdo ditë sanduiç. Paratë që kisha grumbulluar, i shpenzova në dy muajt e parë. Kam mbetur pa asnjë shpresë në Tiranë. Vazhdoj të jetoj vetëm falë zemërgjerësisë së disa miqve të mi, të cilët më sigurojnë vaktet e ditës. Kërkoj paratë e mia dhe asgjë më shumë”, deklaron ndër të tjera kamerunasi që nuk i përmban dot lotët në intervistën për gazetën Panorama Sport.

Te Sopoti ka pasur probleme financiare këtë fazë të parë të kampionatit. Sa ka rënduar kjo te ju?

Shoh që jeni i informuar për situatën, e cila ka ndikuar keq te të gjithë ne futbollistët, sidomos tek unë. Erdha nga larg për një ëndërr, por po i shtyj muajt nga halli, pasi gjendem në një situatë katastrofike financiare. Nuk jam paguar për asnjë muaj, edhe pse kam katër muaj te Sopoti që stërvitem e luaj. Dy muajt e parë i kam shtyrë duke shpenzuar nga paratë që kisha me vete kur erdha me shpresën se një ditë do t’i kompensoja kur të më paguanin. Por, kjo ende nuk ka ndodhur dhe vazhdoj të qëndroj në Tiranë pa asnjë shpresë.

Si ia bëni që të mbijetoni në Tiranë kur ende nuk jeni paguar asnjë muaj dhe i keni harxhuar edhe paratë që keni pasur kur keni ardhur?

Këto dy muajt e fundit jam sajuar me çfarë të mundem. Shokët më kanë ndihmuar shumë. Një njeri i veçantë për mua, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, më ka ftuar në shtëpinë e tij çdo darkë duke më siguruar vaktin. Dhe, për më shumë se dy muaj, e kam siguruar darkën me anë të këtij shoku që zoti ia shpërbleftë gjithçka ka bërë për mua.

Ndërsa vaktet e tjera m’i kanë siguruar miq të tjerë. Dikush më fton për drekë, ndërsa një tjetër për kafe dhe kështu kam arritur të mbijetoj. Një periudhë kur edhe shokët e mi të dhomës nuk kishin marrë as ata pagat, kemi qenë shumë keq. Dy javë para ndeshjes me Turbinën që ishte e fundit për vitin e kaluar, kemi jetuar vetëm me sanduiçë që na i ofroi pronari i picerisë poshtë shtëpisë, pasi e dinte hallin tonë.

Ndërsa ditën e ndeshjes kemi shkuar pa ngrënë asgjë. Dhe, për çudi, fituam. Të gjithë bënim shaka kur u kthyem nga ndeshja që si arritëm të fitonim, edhe pse nuk kishim ngrënë. Para ndeshjes lojtarët e tjerë morën të gjithë paratë, përveç meje. Nuk e di pse nuk m’i dhanë, por kam besim që do t’i marr një ditë.

Shtuar më 15/01/2017, ora 15:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori