Shorti tregohet bujar me Juventusin dhe Liverpoolin, frikë për Barcelonën dhe Manchester City-n
Me fat Liverpooli dhe Juventusi, duele të vështira për Manchester Cityn dhe Barcelonën.

Në Nyon të Zvicrës u hodh mesditën e sotme shorti i çerekfinaleve dhe i gjysmëfinaleve të UEFA Champions duke u përcaktuar kështu rruga drejt finales së Madridit që do të zhvillohet në stadiumin e Atleticos, Wanda Metropolitano. Futbollisti i përzgjedhur nga UEFA për të hedhur shortin ishte ish-portieri brazilian i Interit, Julio Cesar fitues i këtij kompeticioni në vitin 2010-të. Julio Cesar u tregua bujar me Juventusin duke i vendosur bardhezinjtë përballë surprizës së deritanishme, Ajaxit të Amsterdamit që në 1/8 eliminoi kampionët në fuqi të Realit të Madridit.

Short akoma më i favorshëm për Liverpoolin e Klopp që do të masë forcat me Porton, skuadër të cilën e eliminoi sezonin e kaluar në fazën e 1/8-ave me rezultat të përgjithshëm 5-0.

Me 4 skuadra angleze ende në lojë nuk mund të mungonte në këtë fazë një derbi ishullor pasi goglat vendosën përballë njëra-tjetrës Tottenham Hotspur dhe Manchester Cityn, në një duel ku skuadra e Guardiolës është favorite por nuk ka asgjë të sigurtë, ashtu si edhe Barcelona që do të sfidojë gjigandët anglezë të Manchester United, një skuadër që gjithsesi katalanët u kanë marrë dorën pasi i kanë mposhtur në 2 finale të Championsit në 2009-ën dhe 2011-ën.

Në Nyon u hodh edhe shorti i fazës gjysmëfinale teksa fituesi i çiftit Ajax-Juventus do të ketë përballë fituesin e duelit Tottenham-Manchester City, ndërkohë që Liverpooli dhe Barcelona nëse kalojnë raundin çerekfinal do të jenë përballë njëra-tjetrës në gjysmëfinale.
Shtuar më 15/03/2019, ora 12:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori