Shqipëria mposht 6-1 Racing Club Villabes
Pëlqej
Shqipëria zhvilloi ditën e djeshme një takim miqësor kundër skuadrës modeste spanjolle të Racing Club Villabes, të cilën e fitoi me rezultatin 6-1. Trajneri Gianni De Biasi provoi shumë futbollistë dhe disa skema të nevojshme për ndeshjen zyrtare.

Në sfidën, që filloi në orën 18:00, ekipi i drejtuar nga italiani u impenjua maksimalisht duke patur si qëllim kryesor përgatitjet për ndeshjen kundër Portugalisë. Modestët e kategorisë së tretë, Racing Club Villables, janë ndëshkuar që në pjesën e parë, të cilën Kombëtarja Shqiptare e ka mbyllur në avantazh 2-0. Në të dytën, janë shënuar edhe 4 gola të tjerë dhe ndeshja ka përfunduar 6-1.

Golat për skuadrën shqiptare u shënuan nga Roshi 25, Xhaka 26, Kapllani 55, Shala 80, 88 dhe Cikalleshi 86.

Trajneri Gianni De Biasi në përfundim të takimit u shpreh se kjo sfidë i shërbeu deri diku për të parë gjendjen aktuale të lojtarëve të tij:

"Kjo ishte një ndeshje stërvitore, ku ne synuam që të shikonim në kushte modeste loje futbollistët tanë. Sigurisht, që kemi ende kohë për të vendosur por tashmë jemi shumë më të qartë, për të ndërtuar një strategji sa më efikase për ndeshjen me Portugalinë më 7 shtator, duke përcaktuar edhe një pjesë të atyre që do të jenë të gatshëm", u shpreh 59-vjeçari.

Shqipëria aktivizoi në nisje të ndeshjes, këtë formacion: Berisha, Agolli, Cana, Leniani, Hysaj, Mavraj, Abrashi, Xhaka, Kukeli, Roshi, Balaj .

Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe këta futbollistë: Salihi, Gashi, Cikalleshi, Shehi, Vila, Lila, Bulku, Curri, Kapllani, Kaçe, Shala, Vajushi. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2014, ora 09:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori