Si arriti Shqipëria t’i “shpëtojë” borxhit 7 miliardë USD të Perandorisë Osmane
Pëlqej
Në fund të shekullit të 19-të Perandoria Osmane po përballej me një situatë ekonomike të pafavorshme që e detyroi qeverinë t’i drejtohej tregjeve europiane për hua. Në vitin 1854, qeveria osmane arriti të sigurojë një hua ndërkombëtare në vlerë 311 milionë dollarë të sotëm, dhe një vit më pas huaja do të rritej në 518 milion dollarë, të vlerës së sotme.

Si kolateral, osmanët do të vendosnin burime të ardhurash të konsiderueshme dhe një serë burimesh natyrore. Kreditorët por edhe përfituesit e këtyre të drejtave ishin britanikët dhe francezët. Pavarësisht kësaj, situata ekonomike e Perandorisë Osmane nuk do të njihte përmirësim e deficiti buxhetor po thellohej gjithnjë e më shumë. Kjo situatë do të bënte që sërish Perandoria të kërkonte “oksigjen” te aleatët europianë.

Nga viti 1863 deri në 1875 qeveria osmane u angazhua në mënyrë të vazhdueshme dhe në një shkallë të gjerë huamarrje nga tregjet financiare ndërkombëtare. Këto kredi u përdorën më së shumti për pagesën e kësteve të huave ekzistuese, për financimin e deficitit buxhetor dhe pagesën e detyrimeve që rridhnin nga borxhet e marra. Mes viteve 1854 dhe 1875 Perandoria Osmane mori nga tregjet ndërkombëtare europiane 15 kredi në një vlerë totale prej 217 milion lira apo 21.4 miliardë dollarë në vlerën e sotme. Nga kjo shumë, vetëm një pjesë e vogël e saj u përdor për ndërtime hekurudhash.

Si rezultat i rritjes së shpejtë të borxhit publik, që iu bashkëlidh edhe thellimi i deficitit buxhetor, Perandoria Osmane ishte e paaftë që të përmbushte shërbimin e borxhit dhe deklaroi një moratorium në pagesën e kësteve të borxheve. Sipas dekretit të Ramazanit të 6 tetorit 1875, ku deklarohej moratoriumi, qeveria osmane premtonte se do të paguante mbrapsht gjysmën e interesit të akumuluar dhe gjysmën e borxheve të saj në një periudhë 5 vjeçare. Ajo angazhohej se do të emetonte bono me interes 5 % për të mbuluar pjesën e mbetur të detyrimeve.

Pas një kohe të shkurtër, qeveria osmane e gjeti veten ta paaftë që të përmbushte premtimet e dhëna në dekretin e Ramazanit. Si rezultat, u deklarua bllokimi total. Negociatat mes mbajtësve të borxhit dhe qeverisë osmane gjatë kësaj periudhe u fokusuan për të rifilluar pagesat e borxhit. Këto negociata kulmuan me dekretin e Muharremit të 20 dhjetorit të 1881. Në këtë dekret, qeveria osmane binte dakord që të lejonte krijimin e një komisioni kontrolli financiar.

I emërtuar Administrimi i Borxhit Publik Otoman, ky komision përbëhej nga garantët e borxhit. Ky komision do të kishte selinë në Stamboll e do të përbëhej nga 7 anëtarë që përfaqësonin Britanikët, Gjermanët, Austro-Hungarezët, Italianët dhe mbajtësit e borxhit Osman.

Ky komision do të merrte pushtetin e mbledhjes direkte të borxhit përmes të ardhurave direkte nga taksat dhe të përdorimit të parave për shlyerjen e borxhit Osman. Qeveria osmane i dha komisionit të gjithë të drejtat për të ardhurat nga 8 taksa indirekte. Ato përfshinin taksat për pijet alkoolike, pullat, peshkun, mëndafshin dhe të ardhurat nga kripa dhe monopoli i duhanit. Administrimi i Borxhit Publik kishte pushtetin që të merrte edhe disa të drejta të tjera në vendet e Perandorisë Osmane.

Krijimi i komisionit të Administrimit të Borxhit Publik Osman konsiderohet si një epokë të re në historinë financiare osmane.

Për shkak të autoritetit që iu dha administratës, borxhi otoman ishte subjekt i ristrukturimit. Administrimi i borxhit publik përmirësoi kredibilitetin e perandorisë osmane në tregjet financiare europiane dhe shtoi vullnetin e kapitalistëve europiane për t’i dhënë hua qeverisë osmane.

Eficenca e administrimit të borxhit publik në mbledhjen e të ardhurave në përmbushjen e kësteve të borxhit në përputhje me dekretin e Muharremit ishte faktori kryesore që shteti Osman përmirësoi besueshmërinë ndërkombëtare,.

Ndërsa u përmirësua besueshmëria ndërkombëtare kjo do të sillte reduktimin e kostove të borxhit. Në vijim të formimit të komisionit të administrimit të borxhit Osman, huamarrja e jashtme e shtetit Osman u rrit në mënyrë të shpejtë pasi u sigurua nga administrata e borxhit publik. Këto kredi, ashtu si ato të para 1875, u përdorën për të financuar deficitin buxhetor dhe për qëllime ushtarake.

Kolapsi i Perandorisë Osmane në përfundim të Luftës së Parë Botërore rezultoi me lindjen e shteteve të reja. Borxhi i papaguar kishte mbetur në shifrën e 126 milion lirave apo të rreth 7 miliardë dollarëve me vlerën e sotme, referuar enciklopedisë së Perandorisë Osmane.

Republika e Turqisë refuzoi që të marrë përsipër përgjegjësinë për të gjithë borxhet osmane dhe propozoi që t’i ndante me shtetet e tjera që kishin qenë më parë pjesë e parandorisë e që tashmë kishin dalë më vete.

Për këtë qëllim do të duheshin diskutime të gjata që do të finalizoheshin në një marrëveshje ku republika e re turke do të ishte përgjegjëse për 65 për qind të totalit të borxhit osman. Pjesa tjetër e borxhit u nda në proporcion mes vendeve të tjera të perandorisë osmane.

Administrata e Borxhit Publik Osman në Shqipëri, taksat dhe lëshimet

Me 20 dhjetor të vitit 1881, me dekretin e Muharremit u krijua OPDA ose Administrata e Borxhit Pulbik Osman. Sipas këtij dekreti, shumë burime të ardhurash do të administroheshin nga ky komision.

Mes tyre përfshiheshin monopoli i kripës, i mëndafshit dhe taksat indirekte si pullat, peshkimi dhe pijet alkoolike. Edhe monopoli i duhanit do të ishte në administrimin e këtij komisioni. Në fund të shekullit të 19-të kjo administratë do të kontrollonte afërsisht 30 për qind të të ardhutrave të Perandorisë Osmane. Për të shtuar të ardhurat, kjo administratë do të tentonte të intensifikonte prodhimin e duhanit, kripës e vreshtave me qëllim që të siguronte më shumë të ardhura përmes tregtimit të tyre edhe në tregjet ndërkombëtare.

Në vitin 1892, Riza Bej, një turk do të ishte drejtori i përgjithshëm i Administratës së Borxhit Publik Osman në Selanik ndërsa Oskar Eduards ishte shefi i kontrollit. Personeli që kishin në juridiksion përbëhej nga 255 zyrtarë nga të cilët 12 drejtorë e 46 nëndrejtorë.

Administata do të zgjerohej më tej dhe do të punësoheshin 480 persona si kontrollorë për të parandaluar kontrabandën dhe evazionin që mund të bëhej me produktet që ishin në administrimin e komisionit dhe që mundësonin të ardhurat që do të përdoreshin për shlyerjen e borxhit.

Rregullave të taksimit për duhanin, pijet alkoolike, kripën e mëndafshin do t’i nënshtroheshin edhe territoret shqiptare.

Kultivimi i duhanit ishte i zhvilluar masivisht në territoret shqiptare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Por në këto territore do të kishte një dozë të lartë evazioni, e për këtë qëllim, numri më i madh i kontrollorëve do të përqëndrohej në këto territore.

Pavarësisht përpjekjeve të administratës me tregtarët lokalë, në këto territore do të kishte shumë probleme për mbledhjen e detyrimeve tatimore për duhanin e sidomos zona e Elbasanit konsiderohej thuajse një “parajsë” në këtë aspekt.

E njëjta problematikë shfaqej edhe me taksat që duheshin paguar për pijet alkoolike apo për kripën. Kriporet e Semanit, Vlorës, Durrësit dhe Kavajës që ishin funksionale në atë periudhë do të ishin në përfitim të administratës së kreditorëve të Turqisë. Por sërish edhe në këtë rast do të kishte evazion të lartë dhe jo në pak raste administrata do të dorëzohej duke mos e realizuar qëllimin.

Kripa kontrabandohej duke qenë se ishte një element i domosdoshëm për ushqyerjen e popullatës. Çmimi i saj ishte i lartë duke qenë se popullata nuk kishte para të mjaftueshme dhe ishte në nivel të lartë varfërie.

Vetëm në periudhën e të korrave të prodhimeve bujqësore, fermerët kishin para dhe të ardhurat nga shitja e kripës rriteshin e si rrjedhojë edhe administrata e borxhit arkëtonte më shumë të ardhura. Ashtu si pjesët e tjera të perandorisë osmane, territoret shqiptare do të ishin pjesë e “koncesioneve” të kompanive të huaja.

E në territorin e Shqipërisë së sotme, koncesione apo të drejta të plota u ishin dhënë austro-hungarezëve dhe francezëve. Në vitin 1885, një shoqëri franceze do të fitonte të drejtën për të shfrytëzuar resurset e Selenicës në afërsi të Vlorës. E vetmja industri minerare ishte ajo që ushtrohej nga Banka Otomane në Selenicë të Vlorës, për nxjerrjen e bitumit.

Ndërkohë, brigjet shqiptare ishin eskluzivitet i Austro-Hungarisë në kuadër të kapitulacioneve. Të gjitha skelat shqiptare frekuentoheshin nga kompania e udhëtimeve Lloyd që bënte tre ndalesa në javë. Në këtë mënyrë, kontrollohej edhe tregtia e jashtme e Shqipërisë. Gjithsesi, nuk mungonin rastet kur anije me vela turke, ulqinake e greke afroheshin në mënyrë të çrregullt në portet shqiptare.

Po ashtu, Austria, si koncesion të hershëm do të kishte zyra postale në në gjithë vijën bregdetare shqiptare dhe në Janinë duke kontrolluar në këtë mënyrë edhe komunikimet e Shqipërisë më jashtë. Ndërkohë, sa i përket investimeve që planifikonte Perandoria Osmane të realizonte përmes parave të siguruara nga kreditë, mes tyre ishte ndërtimi i hekurudhës që përshkonte Shqipërinë nga lindja në perëndim, me nisje nga Vlora e përfundim në Selanik. Por ashtu, Durrësi planifikohej të lidhej me linjën Manastir-Selanik ndërsa hekurudha e Shkodrës me Shëngjinin dhe hekurudhat serbe.

Në këtë mënyrë, Shqipëria inkuadrohej në rrjetin ndërkombëtar të transportit, por gjithçka do të mbetej një projekt në letër. Kryengritjet e shqiptarëve dhe përpjekjet për pavarësi nga Perandoria Osmane do të finalizoheshin me 28 nëntor të vitit 1912.

Një veprim i tillë vjen në një kohë kur kryeministri i Francës kishte nisur të konkretizonte idenë e një konference të 6 fuqive të mëdha. Shpallja e pavarësisë në nëntor ishte një shans i mirë për t’u njohur si shtet i ri nga fuqitë e mëdha në konferencën e një muaji më vonë që do të mbahej në Londër e që do të njihej ndryshe edhe si Konferenca e Paqes. E vendimet e mëvonshme të Konferencës së Londrës që do të përcaktonin kufinjtë politikë dhe administrative do të rezultonin një difatë e thellë për Shqipërinë, me pasoja edhe për ekonominë.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore do të bënte që Shqipëria të kalonte në administrimin e ushtrive të huaja e si rrjedhojë deri në vitet ’20 nuk do të kishte më diskutime për çështje të borxhit osman, edhe pse gjatë kësaj periudhe sistemi i taksave dhe disa privilegje vijonin të ushtroheshin si në periudhën kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Procesi i riorganizimit shtëtëror shqiptar pas Luftës së parë Botërore do të përkonte me shpërbërjen terësore të Perandorisë Osmane e me lindjen e shteteve të reja. E në këto kushte do të ridiskutohej borxhi që perandoria nuk kishte paguar ende ndaj kreditorëve europianë. Diskutimet për këtë çështje do të nisnin në fundin e vitit 1922 në Lozanë të Zvicrës e do të zgjasnin deri në mesin e vitit 1923 kur do të arrihej marrëveshja.

Mehdi Frashëri dhe Benedikt Blinishti, negociatorët e borxhit shqiptar

Konferenca e Lozanës u mbajt në Lozanë të Zvicrës në vitet 1922-1923. Qëllimi i kësaj konference ishte negocimi i një traktati me qeverinë e re të Ataturkut. Konferenca nisi në nëntor 1922 dhe zgjati deri në korrik të vitit 1923. Ndër të tjera, në këtë konferencë do të diskutohej edhe për borxhin e trashëguar nga Perandoria Osmane. Diskutimet fillestare ishte që borxhi të ndahej në proporcion mes shteteve të krijuara nga shpërbërja e Perandorisë. Në këtë konferencë Shqipëria do të kishte 2 përfaqësues zyrtarë, Mehdi Frashërin dhe Benedikt Blinishtin. Por si i përshkruan bisedimet e Lozanës në kujtimet e tij Mehdi Frashëri?

“Pasi grekët u mundën në Azinë e Vogël në muajin dhjetor 1922, u mblodh konferenca e Lozanës për të vendosur paqen mes Turqisë në një anë dhe Greqisë e shteteve të marrëveshjes në anën tjetër. Mes çështjeve që do të bisedoheshin në Lozanë ishte edhe ajo e borxheve publike të Turqisë që do të ndaheshin mes shteteve trashëgimtare.

Natyrisht edhe Shqipëria ndodhej në rendin e trashëgimtarëve prandaj ishte thirrur prej konferencës që të merrte pjesë edhe ajo. Qeveria vendosi të më çonte mua, prandaj në fillim të dhjetorit u nisa për Lozanë duke pasur për ndihmës zotin Benois Blinishti që ndodhej sekretar permanent pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Kur arrita unë në Lozanë, konferenca ishte mbledhur dhe kishte disa ditë që po vepronte. Meqenëse Konferenca ishte lajmëruar telegrafikisht për emërimin tim qysh të nesërmen prezantova kredencialet dhe mora pjesë në Komisionin e Financave, që kishte për objekt bisedimi borxhet e Turqisë.

Kryetari i Konferencës ishte Lord Kursoni, ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe por kryetar i Komisionit financiar ishte zoti Bompart, që kishte qenë ambasador i Francës në Kostandinopojë.

Kur mora pjesë në mbledhjen e komisionit, zoti Bompart me fjalë të ëmbla dhe lavdëri lajmëroi anëtarët e komisionit për marrjen pjesë timen duke shfaqur mirëseardhjen….

Kur filloi biseda unë kërkova fjalën duke thënë shkurtimisht se Shqipëria merrte pjesë në komision por ish Perandoria otomane gjatë sundimit të saj në Shqipëri nuk kishte bërë as rrugë, as ferrovi (hekurudhë) as godina qeveritare, as dhe shkolla. Me tjetër fjalë, kurrgjë nuk kishte bërë.

Me anën tjetër, në luftërat e kaluara të Ballkanit dhe me rastin e okupacionit të huaj në luftën e përgjithshme, që nga viti 1910 e deri në mbarim të luftërave më 1920, 2/3 e Shqipërisë janë djegur dhe e vetmja pasuri që ka pasur si gjë të gjallë është plaçkitur. Dhe përveç kësaj, në Shqipëri nuk ndodhet asnjë organizatë financiare dhe ekonomike prandaj populli shqiptar me një durim të madh por me dinjitet mbahet në këmbë por nuk është në gjendje të paguajë kurrgjë, sepse sipas një fjalë të vjetër “atje ku s’ka, s’merr as Perëndia”.

Dërgata turke ndodhej nën kryesinë e Ismet Pashës, duke pasur një suitë prej shumë personash, midis të cilëve ndodhej edhe ministri i Financave i Turqisë, që merrte pjesë në këtë komision. Bashkë me dërgatën turke, pa ndonjë cilësi zyrtare ndodheshin edhe Xhavit beu ish ministri i Financave i ish-perandorisë osmane dhe Hysen Xhahiti ish-deputet i Stambollit dhe gazetar me famë. Që të dy këta ishin shokët e mi të shkollës.

Me Xhavit beun ishim miq kështu që vajta dhe u poqa në hotel. Në fjalë e sipër i thashë që në qoftë se dërgata zyrtare turke i deklaron Konferencës se me Shqipërinë nuk kishte ndonjë hesap ose do ta zgjidhte veçanërisht, unë nuk do t’u bëja asnjë kundërshtim dhe sa të më vinte për dore do t’i ndihmoja por në rast se dërgata turke do të insistonte që të kërkonte prej nesh pjesën e borxheve atëhere për të mbrojtur interesant e atdheut tim, do të përdorja argumente prej të cilave do të përfitonin edhe ballkanasit e tjerë.

Në komisionin tonë u vu në bisedë çështja e borxhit të Turqisë. Unë këtë e refuzova krejtësisht duke përmendur se Turqia nuk kishte bërë udhë të hekurt në Shqipëri. Lypset të shënojmë se në komisionin financiar merrte pjesë edhe përfaqësuesi i Administratës së Borxhit Publik Osman Sër Adam Blok, që ishte i njohur në botën financiare.

Në një mbledhje tjetër të komisionit u vu në bisedë kërkesa e dërgatës turke që lypte njohjen e pasurive private të dinastisë otomane që kishte në vendet e ndryshme të ish Perandorisë dhe që sot për sot ndodheshin në shtetet trashëgimtare.

Unë e refuzova këtë duke thënë se këto lloj pasurish të paluajtshme në Shqipëri kanë qenë të Ibrahim bej Alltunit, të konfiskuara pa gjyq nga ana e ish perandorisë otomane në kohën e sulltan Abdyl Hamidit. Jashtë ligjit, ishin përvetuar dhe transformuar si pasuri private e Abdyl Hamitit dhe për këtë shkak, mbasi u hoq nga froni ky sulltan më 1909, nga Parlamenti shkoi një ligj me të cilin këto çifligje iu kthyen prapë shtetit ottoman dhe pasuria e një shteti që copëtohet u shkon shteteve trashëgimtare që ndahen prej të parit.

Prandaj sipas kësaj rregulle, çifligjet në fjalë i takojnë shtetit shqiptar dhe kështu dinastisë otomane nuk i mbetet ndonjë e drejtë. Mbi këtë fjalimin tim të gjatë, Venizelosi tha se pranonte tezën shqiptare. Në një mbledhje tjetër të komisionit, Administrata e Borxhit Publik kërkonte pasuritë e paluajtshme që kjo administratë kishte ngritur në vendet e ndryshme.

Unë e refuzova edhe këtë duke thënë se këto pasuri janë ngritur me të hollat që ka vjelë administrata në fjalë nga të ardhurat e destinuara për larjen e borxhit. Por të mos ishin prishur këto të holla për ngritjen e godinave do të ishte larë një pjesë e borxhit që po kërkohet prej trashëgimtarëve. Kështu që një borxh po na llogaritet dy herë; një herë në formë godine dhe një fish tjetër në të holla. Venizelosi edhe këtë herë pranoi tezën time. Ballkanasit e tjerë heshtnin; dmth se edhe këta pranonin tezën shqiptare. Ballkanasit kishin gjetur një avokat pa para. Me një fjalë, çdo gjë që pretendonin turqit unë ua refuzoja por meqenëse refuzimi ishte i argumentuar mirë, përfitonin edhe të tjerë trashëgimtarë” Mehdi Frashëri, Kujtime 1913-1933

Formula e barrës së borxhit osman dhe “pesha” për Shqipërinë

Në total, Borxhi i Perandorisë Osmane arrinte në reth 7 miliardë dollarë të sotëm. Nga ky borxh u ra dakord që Turqia të paguante 65 për qind të tij ose rreth 4.6 miliard dollarë. Referuar kësaj marrëveshje, Turqia do të paguante çdo vit një shumë prej rreth 351 milion dollarësh të sotëm, veprim që do të kryhej periodikisht deri në vitin 1954 kur republika turke e shleu terësisht borxhin. Ndërkohë, pjesa tjetër e borxhit prej 2.4 miliardë dollarësh(të sotëm) u nda mes vendeve të tjera që kishin qenë pjesë e Perandorisë, ku Greqia mbajti 9 %, 8 përqind Siria dhe Libani, 5 për qind Iraku, 4 për qind Jugosllavia, 3 për qind Palestina dhe 6 përqindëshi i mbetur do të ndahej në mënyrë kolektive mes Shqipërisë, Bullgarisë, Jemenit, Jordanisë, Italisë dhe disa vendeve aktualisht janë pjesë e Arabisë Saudite. /ScanTv/
Shtuar më 14/11/2017, ora 17:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori