"S'ka parkim autobusi në Portugali, duam tri pikë"
Pëlqej
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit ka folur për ndeshjen e parë të edicionit të ri eliminator, e deri te talenti, Dionis Avdijaj.

Gaboheni nëse mendoni se Shqipëria, një skuadër me emër të vogël në arenën ndërkombëtare, do të shkojë në Portugali për të stacionuar “një autobus” para portës së Etrit Berishës. Jo. Të paktën, sipas asaj që deklaron trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi në daljen e parë për mediat në prag të kualifikimeve për Evropianin e 2016-s, kuqezinjtë do zbresin në fushë, duke pretenduar pikë të plota, raporton Panorama Sport. Për këtë gjë, italiani sjell shembullin e transfertës së shkuar me Norvegjinë, ku skuadra jonë fitoi 1-0, në një përballje ku favoritë absolutë ishin nordikët.

Përtej këtij takimi, i cili do luhet më 7 shtator, në konferencën e djeshme për shtyp, De Biazi bëri edhe një rezyme të gjendjes së futbollistëve që ka grumbulluar për këtë ndeshje të parë, duke theksuar edhe një herë se Shqipëria, përtej faktit se është pjesë e “grupit të ferrit”, do tentojë që kualifikohet për në “Francë 2016″. Në fund, tekniku sqaroi edhe telefonatat e bëra me babanë e talentit të Shalkes, Dionis Avdijaj, lojtar ky që pritet të grumbullohet me kuqezinjtë, edhe pse sapo ka mbushur 18 vjeç.

Nisin zyrtarisht kualifikimet për në Europian. Një mendim në lidhje me Shqipërinë që do kemi në këto ndeshje…

Pikë së pari, konfirmoj se në këto kualifikime do të punojmë me një grup më të vogël lojtarësh. Do jenë rreth 26- 27 lojtarë, nga të cilët më pas në varësi të gjendjes së tyre fizike dhe sportive dhe në varësi edhe të kundërshtarit, do të zgjedh 11-shen titullare.

Pra, stop eksperimenteve?

Jo, nuk është e nevojshme. Edicionin e kaluar më duhej ta bëja një gjë të tillë për të rinovuar skuadrën dhe për të pasur një ide më të plotë të kontingjentit që kisha në dispozicion, tani e di fort mirë se me cilët lojtarë do të punoj për këto kualifikime, ndaj them se grupi që do grumbullohet do jetë më i ngushtë. Kjo nuk do të thotë se nuk do ketë afrime të reja, por jo si më përpara.

Cila është gjendja e skuadrës, nëse keni informacion në lidhje me formën fizike të lojtarëve…

Sigurisht që kam informacion dhe mund t’ju them se kjo është një periudhë e vështirë disi për kombëtaren, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve nuk kanë nisur ende kampionatin. Kategoria Superiore nisi vetëm para një jave, në Itali nuk është luajtur as java e parë, ashtu sikundër edhe në disa vende të tjera, ndaj nuk mund të thuash se lojtarët janë në formën e tyre më të mirë. Këtu bën përjashtim kampionati norvegjez (Herolind Shala) dhe ai zviceran, ku lojtarë si Abrashi për shembull ka luajtur që tani shumë minuta si në kampionat edhe në Kupat e Europës. Ose edhe një si Ansi Agolli, një nga lojtarët tanë më të konfirmuar që ka luajtur rregullisht dhe pres që të jetë në formë të mirë. Gjithsesi vlerësimet për gjithsecilin do t’i bëj pasi të nisim me stërvitjet. Siç e dini, do jemi për rreth 1 javë në Spanjë, aty ku do kemi të gjitha kushtet për të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen me Portugalinë.

Nisur nga kundërshtari, a do mjaftohej De Biasi me një barazim në Portugali?

Jo. Nëse nisesh me këtë ide, atëherë humbjen e ke të sigurt. Sigurisht që në varësi të lojës, pra sesi do shkojnë 90 minutat, do të kemi mundësi edhe të themi nëse do jemi të kënaqur apo jo. Kuptohet që në rast se bën një lojë shumë të mirë dhe me raste dhe në fund barazon, atëherë assesi nuk mund të jesh i kënaqur. Dhe e anasjellta: luan gjithë kohës në mbrojtje me një kundërshtar që të bën presion dhe në fund merr pikë, sigurisht që këtë tip barazimi do duhet që ta konsiderojmë si shumë të rëndësishëm.

Kjo do të thotë që do futemi në fushë për të fituar?

Ne do futemi në fushë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë rezultat. Ndodh që të gjuash dy herë në portë dhe të shënosh një gol, sikundër qëlloi me Norvegjinë, dhe të marrësh pikë të plota. Varet se çfarë tip ndeshjeje do të implementojmë ndaj Portugalisë, skuadër kjo e 11-ta në renditjen e FIFA-s. Pra, ndër më të mirat. Gjithsesi, unë nuk jam tip që tërhiqem, apo kënaqem me pak, ndaj do kërkoj me të gjitha mënyrat që ta nisim mbarë.

E keni menduar një strategji për këtë ndeshje?

Sigurisht që e kam menduar, por gjithçka do varet edhe nga kundërshtari. Ju do thoni që ata nuk kanë Ronaldon, por sipas meje Portugalia gjithsesi mbetet një nga skuadrat më të mira jo thjesht të grupit tonë, ndaj më së pari them se duhet të bëjmë një lojë të kujdesshme që të mos pësojmë gola dhe më pas të shfrytëzojmë në maksimum hapësirat që ata do të na lejojnë.

Kur rinovuat, presidenti Duka u kërkoi kualifikimin për në “Francë 2016″, paçka se së fundmi në një intervistë ka pohuar se ecuria juaj në drejtim të skuadrës kombëtare nuk varet vetëm nga kualifikimi apo jo. Jeni më i qetë pas kësaj deklarate të Dukës?

Unë gjykoj se presidenti Duka është një person inteligjent që e njeh mirë futbollin dhe për më tepër njeh mirë Kombëtaren dhe mundësitë tona. Sigurisht që unë si person jam nga ata që nuk di të tërhiqem prapa, ndaj po ju rithem se kjo skuadër do bëjë të pamundurën për të arritur objektivin primar: kualifikimin për në “Francë 2016″. Pastaj, kuptohet që rruga është e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë nuk jam nga ata që fshihem pas gishtit kur shikoj kundërshtarët. Jo, e di fort mirë se jemi në një grup shumë të fortë, me skuadra, të cilat do pretendojnë për t’u kualifikuar dhe që na shikojnë si ekipin më të dobët, por kjo nuk duhet të na stepë.

A nuk besoni se është një nga ato grupe ku mund të fitosh me të gjitha dhe mund të lësh pikë me të gjitha skuadrat?

E vërtetë, por më thoni juve se kush e fiton grupin tonë këtë herë? Edicionin e shkuar ishim thuajse të gjithë të bindur se Zvicra ishte skuadra më e mirë dhe ashtu ndodhi. Ndërsa këtë herë unë personalisht shikoj Serbinë në vend të parë, paçka se të tjerë do thoshin Portugalia. Në gjykimin tim, kemi të bëjmë me skuadra të një niveli të lartë, përshi këtu edhe Armeninë, lojtarët e së cilës luajnë në klube elitare në Europë, ndaj them se do jetë një grup tejet i dyluftueshëm.

Para pak javësh, një deklaratë juaja në lidhje me rikthimin e Vilës në Superiore ndezi një debat të madh, ku u përfshi edhe presidenti Duka. A është korrekte të themi se De Biazi sheh më së shumti legjionarët sesa lojtarët që luajnë në Shqipëri?

Jo, nuk është korrekte. Unë kam njohuri të detajuara në lidhje me kampionatin shqiptar. Shikoj çdo javë ndeshje nga ky kampionat dhe bëj vlerësimet e mia në lidhje me lojtarët që luajnë këtu. Tani, nuk jam unë ai që duhet të bind këta lojtarë, por e kundërta: këta duhet të më bindin me lojën e tyre se e meritojnë Kombëtaren. Kjo nuk do të thotë aspak që unë nuk i kam në konsideratë. Ndërsa, për sa i përket intervistës dhënë “Panorama Sport”, sqaroj se gazetari bëri një pyetje specifike dhe unë i dhashë një përgjigje specifike. U pyeta nëse isha i kënaqur që Vila u kthye në Superiore dhe duke ditur moshën, 26 vjeç, dhe bisedat që pata bërë me të, mundësitë që ai kishte për të luajtur në një kampionat elitar, thashë se do kisha preferuar që ai të luante jashtë.

Për çfarë bisedash e keni fjalën?

Vila pati mundësi të shkonte te Metalurg Donjeck në Ukrainë, por më pas, për shkak të luftës atje, nuk u bë asgjë. Më pas pati bisedime me Debrecenin në Hungari, por edhe aty nuk u bë gjë. Më tha që do rrinte në Greqi, te Janina ose diku tjetër dhe më pas u kthye në Shqipëri. Kësisoj, deklarata nuk kishte kurrfarë mungese respekti ndaj Partizanit si klub, presidentit të këtij ekipi dhe tifozëve. Absolutisht jo. Madje, për faktin se u keqkuptova, i kërkova edhe ndjesë presidentit të Partizanit, paçka se e theksoj, përgjigjja nuk i referohej klubit.

Gjithsesi, ç’mendim keni për Kategorinë Superiore?

Gjykoj se është një kampionat që po vjen në rritje. Fakti që këtë sezon do luhet me dhjetë skuadra, e rrit cilësinë e lojës dhe e bën edhe më kompetitiv. Por mos harrojmë se hëpërhë është i 37-ti në Evropë.

Një mendim në lidhje me merkaton e futbollistëve të Kombëtares?

Më vjen mirë për Valdet Ramën që gjeti një skuadër, pasi në të kundërt do ta kishte të vështirë që të ishte pjesë e skuadrës. Siç e patë, nuk është pjesë e grumbullimit, pikërisht për këtë arsye se nuk ka pasur skuadër. Gjithsesi mbetet një lojtar që do na bëjë punë në ndeshjet e tjera.

Çani mbetet gjithnjë në merkato…

Edgari, me shumë gjasa, do qëndrojë te Katania, por aktualisht po vuan edhe një dëmtim dhe vijon të jetë nën vëzhgimin e mjekëve. Nga informacionet që kam, do duhet të kthehet në stërvitje vetëm nga java tjetër. Në rast se do jetë në formë, do ta thërras në skuadër.

Së fundmi është përfolur afrimi i talentit të Shalkes, Dionis Avdijaj. Rrezikojmë që me këtë lojtar të kemi një tjetër çështje sikundër me Januzajn?

Uroj që jo dhe gjasat tregojnë se nuk jemi në atë rrugë. Pikë së pari, ndryshe nga Januzaj, kam arritur të kontaktoj direkt me babanë e Dionisit dhe kam folur qartë me të. Nuk e di nëse më ka kuptuar apo jo, por personalisht di të them se kam qenë shumë i qartë me të.

Cila ishte përgjigjja e tij?

Këtë gjë më mirë ta mbaj për vete, por po ju konfirmoj se lojtari është ende shumë i ri dhe nuk ka debutuar me skuadrën e parë. Në rast se do të luajë, dhe në vijimësi të asaj çka do japë në fushë, atëherë do ta thërras. Pres që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt.


Shtuar më 01/09/2014, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori