Skandal i radhës në FSHF/ Kategoria e Parë mbetet në ajër
Numërimi mbrapsht ka nisur dhe kur duhen edhe vetëm dhjetë ditë nga starti i kampionatit të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, ende nuk ka një kalendar për sezonin e ri.

Shpikjet e rregulloreve dhe mungesa e seriozitetit nga ana e FSHFsë, që është edhe organizatorja e aktivitetit, janë kthyer në normë tashmë. Në datën 10 shtator është vendosur që të startojë kampionati i Kategorisë së Parë, por që Federata ende nuk ka përcaktuar ndarjen zyrtare të ekipeve në grupe dhe nuk ka publikuar kalendarin, shkruan Panorama Sport.

Skandali

Ekipet ende nuk e dinë se cilat skuadra do të kenë përballë tyre gjatë sezonit të ardhshëm, për të mos folur për javën e parë që do të luhet pas vetëm 10 ditësh dhe skuadrat nuk njohin ende kundërshtarin.

Burime pranë Federatës bëjnë të ditur se shumë klube të kësaj lige kanë probleme të shumta me financat dhe e kanë të vështirë të shlyejnë detyrimet për pjesëmarrjen në kampionat. Por, kjo situatë cenon ato pak klube që janë disi më të organizuara dhe janë gati për të nisur kampionatin.

Çdo drejtues apo staf teknik kërkon ta dijë se çfarë ekipesh do të ketë konkurrentë për të ndërtuar më pas strategjinë e skuadrës nëse do të investojë shumë apo pak. Në një situatë të tillë, gara kompromentohet, në një kohë që Federata duket e pafuqishme për të zgjidhur këtë ngërç. FSHF nuk ka vendosur ende se kur do të përcaktojë kalendarin për sezonin e ri. Gjatë këtyre viteve të fundit, është hera e parë që mungon kalendari i kampionatit vetëm dhjetë ditë përpara datës së përcaktuar për nisjen e tij.

Precedenti

Sezonin e kaluar, fillimi i kampionatit të Kategorisë së Parë u shty me dy javë. Disa prej klubeve patën probleme me shlyerjen e detyrimeve financiare. Situata është e njëjtë edhe në këtë prag sezoni, ku shumë klube kanë probleme, në një kohë që disa të tjera kanë vetëm 2¬3 ditë që janë grumbulluar.

Një kampionat ku vëmendja është minimale dhe skandalet janë të shpeshta ka bërë që të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e tij. Sipas të gjitha gjasave, edhe fillimi i kampionatit të ri do të shtyhet sërish. Situata është e njëjtë edhe me kampionatin e Kategorisë së Dytë që është përcaktuar të nisë më 18 shtator.

Kampionati i Kategorisë së Parë u përshkua nga një skandal i madh tolerimesh gjatë sezonit të kaluar. Aktorë të vetë garës hodhën akuza të drejtpërdrejta për tolerim ndeshjesh. Ndërkohë, Komisioni i Etikës pranë Federatës, pavarësisht se nisi hetimet dhe deklaroi se do të mblidhte prova në lidhje me ndeshjet e dyshuara si të trukuara, deri tani nuk ka marrë asnjë vendim./Albeu.com/

Shtuar më 01/09/2016, ora 19:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori