Starton Champions League, ja sfidat e sotme
Pëlqej
Është koha për të parë në aksion 32 skuadrat më të mira të kontinentit, në kompeticionin më të europian për klube. Nis më në fund faza e grupeve të UEFA Champions League me Real Madrid kampionin në fuqi.

Për herë të parë në rrugën e tyre pas plot 42 vjetësh madrilenët do të gjejnë Baselin dhe në "Santiago Bernabeu". Pas disfatës në derbi me Atletico Madrid për Ancelottin nuk ka më alibi, gjithsesi do të jetë ndeshja debutuese në Champions me fanellën e Realit për dyshen Toni Kroos– James Rodriguez.

Po në Grupin B rikthehet për të shijuar magjinë e këtij kompeticioni pas plot 5 vjetësh klubi absolutisht më i lavdishëm në ishull i këtij aktiviteti, Liverpooli që do të presë në Angli debutuesit e Ludogorets pa emra të tillë si Emre Can, Lazar Markoviç e Daniel Sturridge, në një kohë kur në dyshim mbeten lojtarë të tjerë si Glen Johnson, Joe Allen si dhe Jon Flanagan.

Grupin A fillojnë aventurën e tyre nënkampionët e Europës që për hir të së vërtetës shihen përsëri pa shumë respekt nga bookmakers-at, teksa renditen të shtatët dhe kuotohen vetëm me koeficentin 21, pavarësisht se katër muaj më parë ishin vetëm një minutë larg lavdisë. Simeone dhe të tijët do ta fillojnë këtë sezon në Pire ndaj Olimpiakosit që drejtohet nga Michel një emër i famshëm i futbollit iberik, që ka luajtur për plot 15 sezone në radhët e Realit, ndërsa po për këtë grup në Torino Juventusi do t’i japë mirëseardhjen debutuesve të Malmo-s.

grupin C rikthehet në "Da Luz", pikërisht në arenën që priti finalen e fundit të Champions League-s rivaliteti luzitan Jorge Jesus–Andre Villas Boas, me 36-vjeçarin nga Porto që këtë radhë do të sfidojë Benfica-n nga llogoret e Zenitit të Shën Petërsburgut me ish-dragoin Hulk dhe dy ish-futbollistë të “shqiponjave” si Ezequiel Garay dhe Axel Witsel.

Po për Grupin C rikthehet sërish në Champions pas një mungese 8-vjeçare klubi i Monaco-s, sidoqoftë në Principatë e kanë të qartë që ekipi është dobësuar së tepërmi pas largimit të dyshes James Rodriguez–Radamel Falcao dhe për më tepër testi i parë është mjaft i rrezikshëm përballë një skuadre si Bayer Leverkusen që nën drejtimin e Roger Schmidt ka shënuar plot 23 gola gjatë muajit të fundit duke i dominuar në lojë të gjithë kundërshtarët që i dalin përpara.

Grupin D Cesare Prandelli pasi hoqi dorë nga përfaqësuesja italiane do të nisë një aventurë të re në Stamboll, me Galatasarayin përballë Anderlechtit që drejtohet nga Besnik Hasi, trajneri i parë shqiptar që drejton një ekip në fazën e grupeve të këtij aktiviteti.

Në "Westfalenstadion" do të luhet sfida Borusia Dortmund– Arsenal, dhe ky pritet të jetë edhe takimi më interesant i mbrëmjes mes dy ekipeve që vjet ndanë pikët duke fituar jashtë fushave respektive, megjithatë do të jetë një duel shumë i bukur edhe mes dy trajnerëve Arsene Wenger e Jurgen Klopp, ky i fundit madje është autor i frazës më të famshme të edicionit të kaluar teksa deklaroi se stili i tij i lojës është pak a shumë si edhe shijet muzikore, pasi në ndryshim nga muzika e qetë që pëlqen veterani francez ai adhuron notat e larta dhe muzikën "heavy metal".

Ndeshjet luhen të gjitha në ora 20:45. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2014, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori