"Topi i Artë" për herë të gjashtë, Messi sinjal largimi: Gjithçka po ndodh kaq shpejt
Lionel Messi ngjitet sërish në çatinë e botës së futbollit.

"Pleshti" argjentinas zhvilloi një sezon fantastik me Barcelonën dhe Argjentinën e tij, duke dhuruar spektakël dhe gola pa fund. Paraqitje që u shpërblyen mbrëmjen e sotme, me Messin që fitoi garën më prestigjoze për futbollistë, "Topin e Artë", i cili akordohet nga "France Football" dhe FIFA.

Por edhe pse e bën për herë të gjashtë në karrierë, Messi nuk heq dorë nga ëndërra për të luajtur sa më shumë futboll. Pas tërheqjes së çmimit, Messi tha se e shijon çdo moment në fushë, edhe pse e di se koha e tërheqjes është afër.

"Do ta shijoj me familjen time. Nesër, ne do të duhet të përqëndrohemi përsëri në objektiva të tjerë. Tashmë jam i përqendruar në të ardhmen. Topi i gjashtë i Artë është një krenari e madhe, më jep shumë forcë për të vazhduar punën time. Është absolutisht e paimagjinueshme. E mbaj mend shumë mirë kur mora trofeun e parë të "Topit të Artë", por asnjëherë nuk jam ndalur të ëndërroj dhe të shijoj futboll si kur isha fëmijë. Shpresoj të kem më shumë vite për të shijuar, megjithëse jam i vetëdijshëm se sa i vjetër jam. Gjithçka ndodh shumë shpejt dhe e di që momenti i tërheqjes (pensionit) po afron," tha Messi.

Në garën për këtë trofe, argjentinasi i Barcelonës la pas Virgil van Dijk dhe Cristiano Ronaldon. Ndërkohë, Messi u bë i pari lojtar që fiton 6 herë këtë titull, duke lënë pas Cristiano Ronaldon me 5.
Shtuar më 02/12/2019, ora 23:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori