U zu me trajnerin, Manaj përfundon duke ndjekur ndeshjen nga tribuna
Ndëshkimi i Rei Manajt nga ana e klubit të Albacetes nuk do të jetë vetëm me një gjobë, por edhe me pezullimin e tij për një apo më shumë ndeshje.

Vendimi i klubit ka hyrë në fuqi që ditën e sotme, kur Albacete është paraqitur në ndeshjen e kampionatit pa sulmuesin shqiptar në 18-shen e saj, duke e detyruar futbollistin që të qëndrojë në tribunë gjatë përballjes me Kadiz.

Sulmuesi kishte shpërthyer në një debat me tone të larta me trajnerin Ramis në fund të ndeshjes së javës së kaluar kundër Fuenlabrada, pasi kërkonte llogari pse nuk kishte luajtur nga minuta e parë në radhët e kësaj skuadre. Një veprim që është cilësuar me të drejtë i ekzagjeruar, edhe pse Manaj është cilësuar një lojtar i rëndësishëm nga klubi.

Ndaj për futbollistin u vendos një masë disiplinore me gjobë, ndërsa u bë e qartë se do të stërvitej me skuadrën, por ishte në dorën e trajnerit të vendoste javë pas jave nëse do të grumbullohej apo jo. Manaj është stërvitur rregullisht me ekipin, por trajneri Ramis vendosi që ta linte jashtë për takimin e sotëm duke i bërë të qartë sulmuesit se nuk pranonte sjellje të tilla.
Shtuar më 25/10/2019, ora 23:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori