UEFA me standarde të dyfishta, Rusisë i dhuron pikë, Shqipërisë jo (VIDEO)
Gjyqtari i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sport (CAS) në Lozanë, Lucio Colantuoni, beson se ndeshja e ndërprerë mes Rusisë dhe Malit të Zi në Podgoricë, duhet të regjistrohet me rezultat zyrtar në favor të kombëtares ruse.

Ndeshja kualifikuese për kampionatin evropian të premten e kaluar u ndërpre në minutën e parë pasi portieri rus, Igor Akinfeev, u godit në kokë me një fishekzjarrë dhe menjëherë u dërgua në spital ku u diagnostikua me djegie në qafë.

Pavarësisht nga kjo, gjyqtari vendosi - pas konsultimeve të gjata - të vazhdojë ndeshjen, por përfundimisht u ndërpre në minutën e 68-të pas incidenteve të përsëritura të tifozëve malazezë, të cilët sulmuan me objekte të forta futbollistët rusë.

"Mali i Zi duhet ta humbasë ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0. Përveç kësaj, malazezët mund të s’kualifikohen nga gara e mëtejshme e kualifikimeve për kampionatin evropian. Nga pikëpamja ligjore, çfarë ka ndodhur Podgoricë është një krim dhe gjithë personat që janë të përfshirë në këtë incident, duhet të dënohen me burg", tha Colantuoni për mediat e huaja.

Vlen të theksohet se ndeshja mes Malit të Zi dhe Rusisë u ndërpre pranë rezultatit të barabartë 0:0, transmeton Telegrafi.

Por, a mund të tërhiqet një paralele edhe me ndodhitë e 14 tetorit të vitit të kaluar në Beograd?

Kujtojmë se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në ndeshjen e 14 tetorit në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, ku tifozët serbë kishin hyrë në fushë dhe sulmuan futbollistët shqiptarë.

Pas ndërhyrjes së gjyqtarit anglez, Martin Atkinson, ndeshja ishte ndërprerë në minutat e fundit të pjesës së parë, pranë rezultatit të barabartë 0:0.

Por, siç duket Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) i mbylli sytë para rrahjeve brutale të futbollistëve shqiptar nga ana e tifozëve serbë, të ndihmuar edhe nga personeli i sigurimit të stadiumit dhe me këtë rast dha një vendim skandaloz.

Në fakt, sipas komisionit disiplinor të UEFA-së, shkaktar i dhunës ishte fluturakja me flamurin e Shqipërisë Natyrale dhe jo dhuna ndaj lojtarëve shqiptarë, me ç’rast fitorja i takoi kombëtares serbe me rezultat zyrtar 3:0.

Edhe pas ankesës së Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në shkallën e dytë, vendimi nuk ndryshoi.

Por, FSHF-ja ka dërguar vendimin e UEFA-s në CAS, pikërisht në gjykatën ku bën pjesë edhe gjyqtari i lartpërmendur, ndërsa vendimi përfundimtar i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv do të sillet më 17 prill të këtij viti. /albeu.com/

Shtuar më 03/04/2015, ora 19:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori