Vasil Ruci tregon si i heshtën dikur serbët: Ky Skënderbe ia del ta bëjë sërish
Pëlqej
Vasil Ruci është i mendimit se Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë që të përsërisë në Beograd përballë Partizanit suksesin e 30 viteve më parë të Flamurtarit.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i shquar, teksa bënë diferencimet mes sistemit dhe ekipeve të 30 viteve më parë dhe atyre të sotme, flet edhe për emocionet e përjetuara. Ruci thekson se mund të ketë provokime në Serbi ndaj shqiptarëve, por Skënderbeu duhet të ruajë qetësinë dhe të luajë futbollin që di.

Pas 30 vitesh nga ndeshja Partizan Beograd-Flamurtari, një tjetër ekip shqiptar do të luajë ndaj serbëve. Kur mësuat se Skënderbeu u shortua me serbët, çfarë menduat?

Ka një ndryshim nga koha që ka luajtur Flamurtari. Ndryshimi është ky: Flamurtari ka luajtur me Partizanin e Jugosllavisë, kurse Skënderbeu do të luajë me Partizanin e Serbisë. Një ndryshim që duhet ta kuptojnë të gjithë dhe arsyen përse. Në atë kohë Partizani kishte shqiptarë brenda në ekip, ndërsa sot gjërat kanë ndryshuar. Partizani i Beogradit nuk ka më shqiptarë, por ka serbë. Pra, gjërat kanë ndryshuar dhe ne nuk luajmë më kundër Jugosllavisë siç kemi luajtur ne, por kundër Serbisë. Gjërat kuptohen vetë.

Skënderbeu kaloi për të dytën herë në grupet e Ligës së Europës, duke u bërë ekipi i parë shqiptar që kalon edhe katër ture radhazi. Ju si mendoni, a është ky ekipi më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave në arenën ndërkombëtare apo edhe Flamurtari ka vendin e vet?

Shikoni, ka një gjë këtu. Është ndryshimi i sistemit të të luajturit dhe Skënderbeu ka sukses që ka arritur deri këtu. Po ta shikosh si renditje, Flamurtari ka shkuar deri në 16-she. Pra, ka një ndryshim të sistemit. Me dy ndeshje, me dy kualifikime që bëmë, ne vajtëm direkt në 16-she. Pra ashtu ishte sistemi. Tani duhet të bësh më shumë ndeshje që të arrish në grupe, ndërsa në 16-she është e vështirë. Por prapë, ky është një sukses i madh për Skënderbeun dhe futbollin shqiptar.

Çfarë kujtoni nga ndeshja e vitit 1987 në Beograd, aty ku bëtë historinë?

Unë kujtoj një fragment fantastik. Kur ka realizuar Sokoli golin, deri në atë moment stadiumi nuk ka pushuar së brohorituri, sidomos tifozët ultras të tyre. Por, kur Sokoli ka bërë golin, kam parë një stadium që ra në heshtje varri.

E dyta, kam parë futbollistët e Partizanit të Beogradit, duke futur edhe emrat e tyre si Katanjis me shokë, që nuk dilnin dot më nga stadiumi. Kjo, sepse edhe ndeshja e tillë ishte.

Ishte jo thjesht një ndeshje sportive në atë kohë, por ishte më shumë politike. Normalisht edhe ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit kështu do të jetë. Nuk arrijnë dot serbët që të dalin nga nacionalizmat.

Po thoni se parashikoni që do të ketë incidente?

Nuk parashikoj që do të ketë trazira, por parashikoj që tifozët do të jenë ndoshta më tepër të acaruar se herët e tjera kur ka ndeshje.

Mendoni se edhe Skënderbeu mund të gjunjëzojë serbët, si i shikoni shanset e korçarëve?

Në futboll ka një logjikë të thjeshtë. Në përgjithësi, sot nuk është thjesht vetëm si luan në fushë, por është edhe çfarë fati ke me vete dhe çfarë qetësie ke me vete. Unë besoj se Skënderbeu, në këto momente që flasim, ka fituar qetësinë. Është e vetmja armë që mund të kalohet kjo ndeshje.

Çfarë i këshilloni Skënderbeut?

Unë kam një këshillë shumë të thjeshtë. Të ruhet qetësia dhe të luajnë futbollin që dinë. Nuk ka ndonjë diferencë mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit. /Panorama/
Shtuar më 28/08/2017, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori