Veterani Huntelaar dhe talenti Hoppe synojnë ringjalljen e Schalkes
Fati i një prej klubeve më të famshme të futbollit në Gjermani do të varet prej dy sulmuesve me një dallim në moshë prej 18 vjetësh.

Kthimi në Schalke i 37-vjeçarit Klaas-Jan Huntelaar nga Ajaxi është një lëvizje dëshpëruese e ekipit që po përpiqet me çdo kusht të sigurojë mbetjen në Bundesligë edhe për sezonin e ardhshëm në mes të trazirave financiare të përkeqësuara që nga përhapja e pandemisë së koronavirusit.

Huntelaar te Schalke bashkohet me një yll të papritur, 19-vjeçarin nga Kalifornia, Matthew Hoppe, i cili tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve të ekipit pas shpërthimit në ekipin e parë në muajin nëntor të vitit të shkuar dhe pesë golave në tri ndeshjet e tij të fundit. Hoppe ia siguroi fitoren e parë Schalkes në kampionat pas gati një viti, me “hat-trickun” e shënuar kundër Hoffenheimit në ndeshjen e luajtur më 9 janar.

Mirëpo, goli i tij në humbjen e të mërkurës nga Koelni (2:1) tregoi se ai nuk mundet i vetëm gjithmonë të sigurojë pikët për Schalken. Pas 17 xhirove të zhvilluara këtë edicion në Bundesligë, Schalke zë vendin e fundit në tabelë me shtatë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Maizi që renditet i parafundit.

Huntelaar do të jetë një ndihmë e madhe për ekipin tonë me përvojën e tij. Besoj se ardhja e tij na ka motivuar të gjithëve për të luftuar deri në fund që të arrijmë synimin që kemi, mbijetesën”, u shpreh Hoppe.

Huntelaar, i cili shënoi 126 gola në 240 ndeshje te Schalke gjatë shtatë sezoneve (2010-2017), tani është kthyer me një mision tjetër, më të vështirë. Ai pritet të debutojë te Schalke në ndeshjen kundër Bayern Munichut që zhvillohet të dielën. Në ndeshjen e parë të këtij sezoni Schalke pati pësuar humbje të thellë nga bavarezët (8:0) dhe këtë herë po shpresojnë në një paraqitje dukshëm më të mirë. Huntelaar mbetet një kërcënim për Bayernin – pasi dy herë si rezervist në ndeshjen e tij të fundit te Ajaxi - por një nga arsyet kryesore që ai u largua nga Schalke në vitin 2017, ishte shqetësimi se ai nuk mund të qëndronte mjaft i aftë për Bundesligën. Sulmuesi holandez e humbi ndeshjen me Koelnin për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës por trajneri Christian Gross konfirmoi se Huntelaar do të jetë plotësisht i gatshëm për Bayernin.

“Sigurisht se Huntelaar do të jetë në gjendje të luajë ndaj Bayernit pasi ne llogaritim në të dhe presim shumë prej tij”, u shpreh Gross, i cili është trajneri i katërt te Schalke këtë edicion.

Rënia në një kategori më poshtë këtë edicion do të ishte një katastrofë për Schalken, ekip që ka luajtur në Bundesligë rregullisht prej vitit 1991 dhe deri vonë rregullisht është paraqitur në garat e Ligës së Kampionëve. Përhapja e pandemisë së koronavirusit ndërpreu të ardhurat e biletave që ishin aq të nevojshme pasi Schalke po përpiqej të kompensonte shpenzimet e tepërta të viteve të kaluara. Ngritja e borxheve nënkupton që edhe procesi i marrjes së licencës për të garuar në sezonin e ardhshëm do të jetë një dhimbje koke për drejtuesit e klubit.

“Nuk po e mendojmë rënien në një kategori më poshtë pasi jemi të vendosur që mos të dorëzohemi deri në fund. Nuk do të jetë lehtë, por kam shpresa”, shtoi trajneri Gross.

Kur klubet historike të Gjermanisë e braktisin Bundesligën, ato nuk e kanë të garantuar kthimin e menjëhershëm. Hamburgu, Hannoveri dhe Nurembergu po garojnë në nivelin e dytë të Gjermanisë derisa skuadrat që nuk kanë pothuajse fare histori, si RB Leipzigu e Hoffenheimi tashmë disa vjet e kanë stabilizuar veten në Bundesligë. Ish-kampioni i Gjermanisë, Kaiserslauterni, tani është një ekip i nivelit të tretë me një stadium prej 50 mijë ulëseve dhe probleme të mëdha financiare.
Shtuar më 21/01/2021, ora 18:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori