Zbulohet letra e shkruar nga Morina drejtuar Presidentit Meta: Mos më dorëzo

Pëlqej
Ndërkohë që pritet vendimi i ministrit të Drejtësisë në Kroaci mbi fatin e Ismail Morinës, i njohur si Ballisti, zbulohet nje leter qe ai i ka drejtuar autoriteteve dhe gjithë shqiptarëve për të sqaruar pozicionin e tij.

Në letrën që mban datën 23 qershor 2017, të shkruar në Dubrovnik”, publikuar nga BalkanWeb, Ballist Morina flet për akuzat që rëndojnë ndaj tij, të cilat i cilëson të pabaza dhe të pavërteta. Sakaq, ai ndalet edhe tek sfida Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre për shkak të dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe që fluturoi mbi stadiumin e Beogradit.

Me datë 12 qershor 2017 jam ndaluar nga autoritetet kroate si rrjedhojë e një urdhër ndalimi ndërkombëtar (INTERPOL Beograd) të lëshuar nga autoritetet serbe në llogarinë time, i cili daton më 14/10/2016, data e zgjedhjeve u jep shumë shpjegime shumë pyetjeve dhe nuk lë asnjë hapësirë dyshimi.

Autoritetet e Beogradit zyrtar akuzojnë Ismail Morinën (mua) si personi që më dt. 14/10/2014 në ndeshjen Serbi-Shqipëri e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, ka ofenduar rëndë nderin e kombit serb duke ofenduar fenë, racën dhe provokues direkt i incidenteve në fushën e lojës, me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”. E vërteta është se asnjë nga këto akuza nuk qëndron, mjafton që të hidhet një sy elementëve që përbëjnë flamurin “Autochthonous” dhe shihet qartë që nuk ekziston asnjë indicie që tregon ndonjë ofendim feje, race apo diçka tjetër.

Sa i përket ndërprerjes së ndeshjes dhe provokimit të incidenteve mund të thuhet dhe shihet qartë që në rastin e parë, gjyqtari i ndeshjes Atkindos ndërpret ndeshjen si pasojë e hedhjes së lëndëve tymuese në fushën e lojës (gjest i përsëritur), dhe në rasti e dytë ai i provokimit të incidenteve në terrenin e lojës, është lojtari serb Mitroviç me uljen e flamurit “Autochthonous” që provokon direkt incidentet dhe duhet theksuar që nuk është detyrë e lojtarëve në terrenin e lojës të ulin flamujt apo të bllokojnë ndonjë invazor të fushës, por janë stjuartët që e kanë këtë detyrë, raporton Panorama.

Gjithsesi autoriteteve serbe nuk është se u intereson shumë nderi i kombit serb, por ekziston diçka tjetër, mentaliteti i tyre është i uzurpuar nga urrejtja në drejtim të çdo gjëje që identifikon shqiptarët apo në rastin më flagrant që glorifikon në mënyrë paqësore historinë e tyre, dhe ky mentalitet i tyre që është shprehur edhe ndaj kombeve të tjera fqinje, ka dhënë rezultate katastrofale.

Unë nuk kam frikë, sepse e kam thënë edhe në raste të tjera dhe po e përsëris, që e kam ndërgjegjen të pastër në raport me veten pikë së pari, me shqiptarët e mi, dhe po ashtu me kombin serb, por lind pyetja a mund të lejohem të jem pjesë e gjahut të disa nacionalistëve perversë, të sëmurë mendërisht nga Beogradi, të cilët ishin deri dje delfinët e famëkeqit Voislav Sheshel (Aleksander Vuçiç, Nikoliç) dhe të atyre që në luftën e fundit në Kosovë eksperimentuar ç’ditën dhe ç’mundën ndaj popullsisë shqiptare dhe i bënin kasapit të Ballkanit “il portaborse” (Ivica Daçiç)???… Unë mendoj që jo….

Andaj i bëj thirrje numrit 1 të shtetit shqiptar, presidentit të Republikës së Shqipërisë, atij në ikje dhe atij në ardhje, ministrit të Punëve të Jashtme dhe çdo hallkë shtetërore që ka obligim moral por mbi të gjitha obligim institucional/kushtetues në mbrojtje të qytetarëve shqiptare në Shqipëri dhe nëpër botë të aktivizojnë çdo përpjekje ligjore në parandalimin e kësaj kërkese të turpshme nga autoritetet serbe.
Shtuar më 09/09/2017, ora 09:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori