Zbulohet prapaskena, Napoli tentoi Dybala-n duke i ofruar Hysajn Juventusit
Edhe Napoli në gjurmët e Paulo Dybalas. Sipas asaj që ka treguar gazetari Rafaele Auriema për mikrofonat e Radio Marte, edhe klubi i Aurelio De Laurentisit ka tentuar që të transferojë numrin 10 të Juventusit këtë verë, dhe për këtë ka ofruar kapitenin Insinje dhe mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Gjithçka ka lindur nga interesi i kampionëve të Italisë për mbrojtësin më të mirë të Serisë A sezonin e shkuar, Kalidu Kulibali. Dhe drejtuesit e "Zonjës" për të bërë të tyrin qendërmbrojtësin senegalez, ofruan në pjatën e peshores edhe ish-sulmuesin e Napolit, Gonzalo Higuain. Ishte një ofertë që mori përgjigje negative nga klubi i De Laurentisit, i cili bëri një kundërofertë për të transferuar Dybalan: duke ofruar Hysajn dhe Insinjen, dy futbollistë që vlerësohen shumë nga ish-trajneri i napolitanëve, Mauricio Sarri. Por edhe në këtë rast, përgjigjja e klubit bardhezi ka qenë negative.

PRAPASKENA

"Pas diskutimit për shkëmbimin Higuain-Kulibali, Napoli bëri kundërofertë për Juventusin, duke i kërkuar Dibalën në këmbim të Hysajt dhe Insinjes, të cilët janë dy lojtarë që i pëlqejnë shumë Sarrit. Por përgjigjja e Juventusit ishte një "jo".

Do të jetë shumë e vështirë që Napoli dhe Juventusi të bëjnë biznes pas asaj që ndodhi disa sezone më parë me Higuainin dhe kur bardhezinjtë vendosën që të paguajnë klauzolën e tij prej 90 milionë eurosh me miratimin e transferimit nga argjentinasi, i cili në Napoli ishte aq i dashur", tha Rafaele Auriema. Ndërkohë që "La Joya" e ka në dorë fatin e tij dhe sot pritet të vendosë nëse do ta pranojë një shkëmbim kokë më kokë me Lukakun dhe të shkojë në Manchester apo jo.
Shtuar më 01/08/2019, ora 13:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori