10 shprehjet komike që përdoren në futboll
Gjuha e futbollit po futet përherë e më tepër në fjalorin e përditshëm. Faqja sportive “Goal.com” bën një përmbledhje të 10 termave më komikë që janë përdorur më tepër gjatë viteve të fundit, duke u bërë pjesë e fjalorit të futbolldashësve në mbarë botën.

Shënim: klasifikimi i mëposhtëm përmban doza shakaje, prandaj ju lutemi, mos e merrni shumë seriozisht.

10) BundeskopfQuhet kështu një tifoz i futbollit gjerman i cili pohon se Bundesliga është më e fortë se Seria A dhe beson se kampionati i vendit të tij meriton të ketë skuadrën e katërt në Ligën e Kampionëve bazuar në paraqitjen e skuadrave në Ligën e Evropës. Një “Bundeskopf” e quan fare pa vend faktin që në pesë sëzonet e kaluar të Championsit, vetëm një ekip gjerman ka arritur deri në çerekfinale, ndërkohë që Italia ka nxjerrë dy fitues të trofeut dhe dhe të paktën dy skuadra që kanë kaluar me sukses fazat pas grupeve.

9) Taktika jugosllave - Mënyrë e mençur për të fituar kohë gjatë lojës, duke shkaktuar shumë faulle të vegjël me qëllim uljen e ritmit të kundërshtarit dhe harxhimin e kohës së mbetur për lojë. Është përdorur fillimisht nga kombëtarja e ish-Jugosllavisë e më pas nga ekipe të tjera, kur ndeshja ka qenë 1-0 apo kur synimi ishte të merrej një barazim. Zakonisht përfundon me një thes me kartonë të verdhë dhe të paktën 10 minuta kohë shtesë.

8) Butraguetazo – Me këtë term përkufizohet një lojtar që firmos për një klub vetëm për para. Praktikisht, çdo futbollist që nënshkruan me Realin e Madridit. Në spanjisht, “Butragetazo” do të thotë “gërmues ari”. Emilio Butragenjo është një ish-futbollist i klubit spanjoll, i cili mbante nofkën “Grabitqari”. Prandaj një “Butragetazo” është një gërmues-ari grabitqar.

7) Brazilian 28 / Nigerian 21 Quhet një person që pohon se është në një moshë të caktuar, por që në fakt duket shumë më tepër. “Brazilian 28” doli nga ish-mesfushori brazilian i Romës, Juventusit dhe Milanit, Emerson, pasaporta e të cilit dëshmonte 28 vitet e tij, por që në fakt dukej dhe vraponte si një 70-vjeçar. Kurse “Nigerian 21” përdoret pasi ish-sulmuesi i Interit, Obafemi Martins, thoshte se ishte 21 vjeç në 2005-ën, pavarësisht faktit se plot 87 dëshmitarë e kishin parë në Lagos qysh më 1978-ën! (në fakt Martins ka lindur më 28 tetor 1984).

6) I "Jabulan-uar" – Ky term përdoret kur portieri mbetet në mëshirë të fatit gjatë një gjuajtjeje me trajektore të paparashikueshme, nga një top plastik i prodhuar në një stacion nafte. I "Jabulan-uar" përdoret edhe për të përshkruar përpjekjen e zhdukjes së aftësive dhe shndërrimin e lojës së bukur në një shfaqje komike të tipit “të bombardojmë portierin”, nëpërmjet përdorimit të atyre lloj topave.

5) Parashikimi i Peles / I "Pele-uar" - Quhet kështu një parashikim kokëkrisur që s’ka fare mundësi të dalë i vërtetë. E ka marrë këtë emër nga legjenda braziliane Pele, i cili ia ka futur kot kaq shumë herë në parashikimet e tij, saqë “Goal.com” i ka kushtuar një speciale me dhjetë më të mirat. E famshme është fjalia e Luis Felipe Skolarit: “Pele s’merr vesh fare nga futbolli. Analizat e tij janë ngaherë të gabuara. Nëse do të fitosh, duhet të dëgjosh Pelen e pastaj të bësh të kundërtën”. Nëse je i “Pele-uar”, do të thotë nuk ke fituar asnjëherë ngase Pele të ka sjellë ters.

4) Piratë – Me këtë emër quhen të mëdhenjtë e futbollit anglez – Arsenali, Mançester Junajtid dhe Çelsi – të cilët u vjedhin për një copë bukë talentet më të vegjëlve, megjithëse këta të fundit i kanë rritur që një pëllëmbë. Termi është përdorur së hershmi nga presidenti i Palermos, Mauro Zamparini. Xhuzepe Rosi, Gael Kakuta, Fabio Zamblera, Çesk Fabregas, Davide Petruçi, Xhefri Bruma, Patrik Van Anholt, Arturo Lupoli, Zherrard Pike, Federiko Makeda, Fran Merida dhe 90 për qind e skuadrës së Arsenalit janë një pjesë fare e vockël e kalamanjve të rrëmbyer nga kusarët e Kapitenit Mjekërzi.

3) Lotighto - Një president, drejtor apo trajner dorështrënguar me paratë që nuk pranon të nxjerrë asnjë qindarkë nga xhepi për të bërë pazar gjatë merkatos. Madje as kur skuadra dëshpërimisht ka nevojë për t’u forcuar. Fjala e ka origjinën nga presidenti i Lacios Klaudio Lotito, i cili, përjashto brazilianin Hernanes, i ka xhindosur tifozët me kopracinë e tij. Një term i përbërë është edhe Arse-Lotito, për nder të Arsen Vengerit. Por kjo përdoret vetëm në raste fare ekstreme, për shemnull kur francezi bëri çmos të ulë çmimin për Jaja Turenë nga 2 milionë stërlina, në 1,995 milionë!

2) I "Van Jong-uar" – Përdoret për të përshkruar një lojtar që në sy të të gjithëve pëson një dëmtim të tmerrshëm pas një ndërhyrjeje “vrasëse”, e më pas vuan për së dyti kur sheh grabitqarin që ec i lumtur pa u ndëshkuar fare. Termi është krijuar për nder të dyshes së mesfushës holandeze Mark Van Bomel – Najxhëll De Jong. “E sheh të gjorin Çarli Smith të shtrirë? – Ai u ‘Van Jong-ua’ nga dyshja e fortë e Holandës, e cila as nuk u ndëshkua me karton, madje”.

1) Premface - Kështu quhet një tifoz i Premier Ligës, i cili nuk ia ka haberin se ç’bëhet me futbollin jashtë Britanisë së Madhe. Mos u habisni kur të dëgjoni një “Premface” të përsërisë stereotipe të tipit “Në Itali luhet vetëm futboll i kalbur, i dalëmode, i tipit katenaço”, gjermanët janë “efikasë” dhe “kurrë nuk duhen marrë parasysh”, argjentinasit janë “hileqarë” dhe “të gjithë të huajt simulojnë”. Për t’i shkuar pas qejfit një “Premface”, duhet t’i përsëritësh që kombëtarja e “3 luanëve” është favorite para çdo botërori, e më pas të mbetesh gojëhapur si ka mundësi që e mund 4-1 një ekip nga i cili “vetëm një futbollist mund të bëjë punë për kombëtaren e Anglisë”. Më e rëndësishmja, një “Premface” përsërit së paku 80 herë në ditë që “Premier Liga është kampionati më i fortë në botë” dhe që çdo futbollist – përfshirë Pelen dhe Maradonën – “është i paprovuar përderisa nuk ka luajtur në Angli”. Fjali tipike të këtij grupi mund të jenë për shembull “S’kam dëgjuar ndonjëherë për Aleksandre Paton” (Xhemi Redknap – 2009), “Spanja s’ka për ta fituar Kupën e Botës, ata vetëm Fernando Torresin kanë” (gjatë një emisioni sportiv në 2010-ën) dhe “Ishte budallallëk shkarkimi i Stiv Meklarenit për ta zëvendësuar me Fabio Kapelon. (Patrik Barklai, gazetar - G. Start)
Shtuar më 06/10/2010, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori