A do i japë dritën jeshile Parisi Maqedonisë? Ja qëndrimi që kanë francezët
Franca mbetet e pavendosur për miratimin e datës për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Ambasadori francës në Shkup Kristian Timonie, deklaroi se vendi i tij vlerëson reformat e bëra në vend por thekson se standardet e këtij vendi duhet të përkojnë me standardet evropiane.

Jemi duke reflektuar. Këto reflektime kanë qenë të ndihmuara edhe nga vizitat rishtazi të ministrit të Jashtëm Nikolla Dimitrov në Paris. Autoritetet franceze kanë ndarë vlerësimet e tyre të larta për Marrëveshjen e Prespës, njëkohësisht kanë vlerësuar edhe reformat që po bëhen. Ata kanë këmnëbgulur vazhdimisht për konsolidimin e shtetit të së drejtës, njëkohësisht kanë përsëritur qëndrimin e presidentit Makron për Ballkanin Perëndimor. Cilido qoftë vendimi që do të merret me vendet e tjera anëtare, këtu duhet të mbizotërojë stabiliteti dhe njëkohësisht prosperimi dhe zhvillimi. E di se ajo që ju kërkoni është data, por njëkohësisht duhet që standardet e këtij vendi duhet të përkojnë me standardet evropiane”-pohoi Kristian Timonie, ambasador i Francës.

Ndërkohë, zv.kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka vazhduar turneun e vizitave të tij në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së për t’i bindur ata se Shkupi meriton datë. Në Varshavë të Polonisë, Osmani ka marrë mbështetje nga ministri Jashtëm polak dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme.

Jam këtu në Varshavë për të biseduar me të gjithë ministrat të cilët do të jenë në Luksemburg më 15 tetor dhe do të marrin vendimin në emër të tyre, për të sqaruar se sa i rëndësishëm është vendimi pozitiv për Maqedoninë e Veriut. Mesazhi që del nga ai takim, në fakt, është multidimensional si për mbajtjen gjallë të proceseve brenda ashtu edhe për mesazhin që u dërgohet vendeve të rajonit, mirëpo edhe për të ruajtur kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor”-tha Bujar Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Gjatë ditëve të ardhme, Osmani do të vazhdojë vizitat dhe takimet edhe në vende të tjera. Në mes të muajit tetor, vendet e BE-së pritet të japin verdiktin e tyre në lidhje me dhënien e datës kur Shkupi do të duhet të fillojë zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE.
Shtuar më 21/09/2019, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori