Artisti serb: Ta njohim Kosovën dhe ta shporrim Rusinë
Një ditë pas vizitës së Vladimir Putinit në Beograd, artisti serb Çedomir Petroviq, ka shkruar një artikull për raportet Serbi-Rusi, ku ndër të tjera ka kërkuar që shteti të cilin e udhëheq Aleksander Vuçiçi ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.

Në shkrimin e titulluar “Po na vjen shoku Putin’, Petroviqi ka thënë se Serbisë asnjëherë nuk i ka ardhur asnjë dobi nga Rusia, duke kërkuar kështu që shteti i tij ta njohë Kosovën dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbia duhet të vazhdojë rrugën e integrimit në BE dhe NATO, shkruan "Danas".

“Pa na brejtur ndërgjegjia e pa kurrfarë ndjenje se i kemi borxh dikujt, e më së paku Rusisë, të bëjmë edhe një përpjekje të madhe për njohje të Kosovës, t’i vendosim sanksione Rusisë dhe të harmonizojmë politikën tonë të jashtme me atë të BE-së. Të përpiqemi për anëtarësim në BE dhe Aleancën veri-atlantike”, ka thënë Petroviqi.

Vendosja e taksës nga Prishtina, dhe vendimi i Beogradit për mosnjohje të Kosovës sipas tij është sikurse ajo pyetja e vjetër “pula apo veza’.

“Kësaj radhe të mos mbetemi pa vezë dhe pa pulë”, ka përfunduar ai.

Vizitën e Putinit dje në Beograd e kanë kritikuar edhe shumë pjesëtar të shoqërisë civile.

Ata kanë thënë se kjo vizitë do të rrënojë edhe më tepër demokracinë dhe shtetin serb.


Shtuar më 18/01/2019, ora 12:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori