E BUJSHME/ Panuccin e do klubi legjendar belg
Kristian Panuçi bëhet gati që të kthehet përsëri protagonist në futboll, por këtë herë në radhët e një klubi e jo të një kombëtareje.

Trajneri kërkohet në Belgjikë, në një klub i cili me shumë fat evitoi falimentimin dhe kthimin mes amatorëve falë kontributit të ish-futbollistëve të tij.

Standart Liezhi është në kërkim të një trajneri për edicionin e ardhshëm, për të nisur një projekt me të rinj pasi situata ekonomike e klubit nuk i lejon që të bëjë lëvizje shumë të mëdha në merkato. Ndaj kërkon personazhe të njohura në pankinë, të cilët të mund të ndihmojnë falë eksperiencës së tyre ndërkombëtare.

Emri i parë që kërkohej ishte ai i Mishel Prud’hom, por sipas mediave belge, së fundmi në skenë ka dalë emri i Kristian Panuçit dhe ai është tashmë kandidati kryesor për këtë pozicion. Kjo do të ishte aventuar e parë e trajnerit që kur u largua nga Shqipëria në marsin e vitit të kaluar. Panuçi nuk pranoi asnjë ofertë gjatë vitit 2019 për faktin se deri në fund të tij u pagua rregullisht nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ndërkohë, Standart Liezhi po kërkon një mënyrë si të përballojë pagesën për trajnerin, pasi situata ekonomike nuk është ndër më të mirat.

Klubi ishte pranë falimentimit dhe vetëm donacionet nga dy ish-futbollistët e tij, yjet e Belgjikës Vitsel dhe Fellaini, bënë të mundur që të paguante detyrimet e të mbyllte kampionatin duke mos rrezikuar shpërbërjen.
Shtuar më 26/05/2020, ora 23:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori