Maqedoni: Ulen shpenzimet për përmbarim dhe tarifat për noterët dhe përmbaruesit
Pëlqej
Ulje të shpenzimeve për përmbarim për qytetarët dhe ulje të tarifave të noterëve dhe përmbaruesit parashohin ndryshimet e Ligjit për përmbarim dhe të Ligjit për noteriat që sot i miratoi Qeveria e Maqedonisë.
"Qëllimi kryesor i ndryshimeve të ligjeve është ulja e shpenzimeve në procedurat para noterëve dhe përmbaruesve edhe atë për qytetarët më të varfër të cilët nuk mund t'i paguajnë faturat për shpenzimet komunale dhe të cilët marrin kredi të vogla konsumatore deri në 1.000 euro. Ulje të shpenzimeve të qytetarëve të cilët kanë borxhe për shpenzime komunale do të ketë edhe në procedurat para noterëve dhe në procedurat para përmbaruesve", tha kryeministri Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri së bashku me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Ai theksoi se me ndryshimet do të ulen shpenzimet për mbi 90 për qind prej rasteve të përmbaruesve dhe shtoi se pret në tetor ligjet të hyjnë në procedurë të Kuvendit.

"Shpenzimet të cilat i paguajnë qytetarët duhet të zvogëlohen dhe të jenë të arsyeshme, dhe jo të mëdha dhe enorme. Në procedurat para noterëve qytetarët të cilët kanë borxhe për shpenzime komunale do të lirohen prej taksave gjyqësore dhe kompensimit për klauzolë për vlefshmëri dhe përmbarim, ndërsa shpërblimi noterial do të jetë 10 për qind prej borxhit kryesor, por jo më shumë se 500 denarë", tha Zaev.


Për fatura për ujë, mbeturina, telefona dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në lartësi prej 6.000 denarë, shtoi, nuk do të jetë e nevojshme pjesëmarrja e avokatëve, si edhe për fatura për energji elektrike dhe ngrohje qendrore deri në 15.000 denarë.

"Me këtë do të përjashtohen edhe shpenzimet e avokatëve për personat të cilët kanë fatura të papaguara për shuma të tilla. Në procedurat para përmbaruesit madje 16 zëra për të cilat më parë ekzistonin shpenzime me tarifën e re do të jenë tërësisht falas. Disa zëra janë ulur deri në 50 për qind, ndërsa disa deri në 90 për qind", tha Zaev dhe theksoi se në periudhën e ardhshme do të punojnë edhe në ligjin për fshirjen e borxheve.

Urdhëresa për zbatimin e llogarisë transaksionare tek personi fizik i cili më parë kushtonte 20 euro, precizoi, me tariforen e re do të jetë dy euro për borxhe deri në 1.000 euro dhe do të lëvizë deri në gjashtë euro për më të lartat.

Ministrja Deskoska tha se nëse shpenzimet e përgjithshme tek noteri më parë ishin 3.490 denarë tani do të jenë 550 denarë për faturë prej 3.000 denarësh, pasi mbeten vetëm shpenzimet për shpërblime dhe shpenzime materiale. Për faturë prej 11.000 denarë për energji elektrike dhe ngrohje qendrore në vend se 5.770 denarë tani do të paguhet 750 denarë. Para përmbaruesit nëse më parë paguhej 5.230 tani do të jetë 660 denarë.

Saktësoi se për procedurat tashmë të filluara nëse nuk janë paguar shpenzime të caktuara do të vlejnë tarifat e reja.


Shtuar më 25/09/2018, ora 18:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori