Më jep pak nga shkëlqimi yt! Turravrapi i Metës për kurim imazhi dhe dashuria për shqiptarët në rajon

Pëlqej
Me apo pa dëshirën e tij për të shkuar në zyrën e Presidentit, që kur ka hyrë në atë godinë, Ilir Meta ka ecur me një strategji të qartë sa i përket imazhit të tij.

I ardhur nga një bashkëjetesë plot probleme me demokratët, ku vlen të përmendet skandali me 700 mijë euro i publikuar nga Fiks Fare si dhe pas një divorci të dhimbshëm me socialistët, Ilir Meta e di se tani nuk i bën më punë vetëm një make up i lehtë imazhi, por i duhet ndërhyrje kirugjikale për t'i bërë shqiptarët dhe ndërkombëtarët që të harrojnë se çfarë ka ndodhur këtu e tetë vite të shkuara.

Në këtë mënyrë, presidenti jo fort i parapëlqyer edhe nga ambasadat më të rendësishme në vend nisi fillimisht një turn patriotik duke shkuar në Kosovë dhe më pas në Luginën e Preshevës.

Të njëjtin tur, por tashmë jo në aspektin gjeografik, Meta po e vazhdon edhe në përditshmërinë e tij duke u takuar me figura të ndritura të artit apo sportit shqiptar si edhe njerëz të tjerë të famshëm të rrjeteve sociale, të cilat më pas i serviren publikut si shfaqeje sporadike përmes mediave nën influencën e LSI dhe vetë Presidencës.

Me këtë tur patriotik, Meta synon të heqë prej vetes edhe akuzat që i janë bërë shpesh në media për raportet e tij të afërta me lobet sllave në rajon.

Të kësaj natyre janë për shembull takimet e zjarrta patriotike me shqiptarët në Preshevë, bërja e shqiponjës me kampionin Nuri Seferi, pritja e kampionit Izmir Smajlaj, kujdesi i veçantë për medaljet e Romela Begajt apo ndeshjet e kombëtares së Shqipërisë.

Vlen të theksohet fakti se Presidenti Ilir Meta kundërshtoi publikisht kërkesën e Thaçit për pajisje me pasaporta të Shqipërisë të shqiptarëve të Kosovës.

Meta gjithashtu po tenton të kurojë imazhin e tij përmes figurave të ndjekura nga të rinjtë në rrjetet sociale siç janë Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku.

Sepse, 17-18 vjeçarët e sotëm kanë qenë të vegjël në janar 2011. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2018, ora 22:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori