Shkëndija feston 35-vjetorin e krijimit
Pëlqej
35 vjet histori, 35 vjet bashkimi të shqiptarëve në Maqedoni, nën një pasion të përbashkët, nën një logo e nën një emër, Shkëndija. Klubi kuqezi i Tetovës do të festojë këtë të mërkurë 35 vjetorin e krijimit të saj, dhe nuk mund të kishte mënyrë më të mirë për të festuar sesa në një derbi shqiptarësh, siç është sfida e javës së pestë të kampionatit ndaj Renovës.

Skuadra shqiptare dhe në këtë përvjetor do të gjejë në krah platformën e të gjithë shqiptarëve, Digitalb, që jo vetëm do të transmetojë live prej orës 16 manifestimin e 35 vjetorit të krijimit, por ashtu siç bëri dhe një vit më parë do të transmetojë dhe derbin mes dy skuadrave shqiptare duke u bërë një promovuese e klubit më të dashur të shqiptarëve në vendin fqinj.

Në 35 vjet histori, pavarësisht pengesave të krijuara, Shkëndija ka mundur të ndricojë gjithmonë dhe në vitin 2011 arriti të fitojë dhe titullin kampion në Maqedoni duke qëndruar e pathyer për 16 ndeshje radhazi ndërsa i shtoi koleksionit të saj dhe një Superkupë të vendit.

skuadra tetovare është nën administrimin e Ecolog që e ka bërë këtë shoqëri një shembull për t’u ndjekur në Ballkan për mënyrën e shkëlqyer të organizimit ndërsa tifozët e saj Ballistët janë ndër më të flaktit në rajon duke qenë jo vetëm një tifozeri e zjarrtë në tribuna por dhe promovues e mbështetës të vlerave të këtij klubi, aq sa në vitin 2013 nisën një fushatë solidarizuese për të bindur Ecolog që të merrte drejtimin e klubit të Shkëndijës. Në manisfetimin që do të zhvillohet para ndeshjes me Renovën do të performojë dhe grupi i njohur Elita 5.

Shkëndija deri tani ka treguar se për të vazhduar drejt së ardhmes është e rëndësishme të vlerësohet e kaluara, dhe në faqen zyrtare të klubit një foto e madhe me emrat e lojtarëve të parë dhe mbishkrimin "Pa Ata nuk do të kishte Shkëndijë" është treguesi, se te kuqezinjtë tetovar e kaluara dhe identiteti është një shkëndijë që nuk shuhet kurrë. /albeu.com/
Shtuar më 26/08/2014, ora 17:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori