Shkëndija në krizë, presidenti Destani formon grupin punues për të hetuar shkaqet
Pas paraqitjeve të dobëta të skuadrës së Shkëndijës gjatë kësaj vere, si në ndeshjet evropiane, ashtu dhe në ndeshjet e para të kampionatit të vendit, me komunikatë për opinionin flet presidenti i klubit, Lazim Destani.

Miliarderi shqiptar ka vendosur që të krijojë një grup punues për të hetuar shkaktarin e kësaj krize te klubi tetovar.

Kjo është komunikata e plotë e Destanit.

“Të nderuar sportdashës, tifozë dhe dashamirës të KF Shkëndija.

Me këtë paraqitje timen në këtë fillim kampionati, dua ta shpreh pakënaqësinë time lidhur me nivelin e paraqitjes dhe rezultatet e dobëtaShkëndijës të cilat po shënojnë një rënie dëshpëruese që s’duhet lejuar të vazhdojë më tej.

Gjatë kësaj vere, ne nuk po e shikojmë atë Shkëndijë që u mësuam ta shohim tash e sa vite. Skuadra në vend që të avancojë me sukseset e saja, në ndeshjet europiane ndodhi e kundërta, Shkëndija nuk i solli rezultatet që në mënyrë të arsyeshme i prisnin tifozët e kuqezinjve.

Pas eliminimit në kompeticionet europiane, Shkëndija i është kthyer kampionatit të vendit ku tashmë janë zhvilluar tre xhirot e para.

Humbjet e dy ndeshjeve të para dhe mungesa e rezultatit pozitiv në ndeshjen e xhiros së tretë janë tejet zhgënjyese, si për mua e rrethin tim ashtu dhe për tifozët e Shkëndijës e për ‘Ballistët’. Këto rezultate të dobëta paraqesin tregues aparent se këtu diçka nuk po funksionon siç duhet.

I shtyrë nga këto rrethana, dua ta njoftoj opinionin sportdashës se unë tashmë kam ngritur një grup profesional pune i cili menjëherë ka nisur me shqyrtimin e gjendjes në klub për të konstatuar të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet që duhet bërë në të gjithë sektorët e klubit.

Unë pres që brenda disa ditësh ky grup profesional ta përmbyll punën në mënyrë që KF Shkëndija t’i rikthehet formës më të mirë për t’vazhduar garën në kampionatin e vendit ashtu siç duan ta shohin dhe siç e meritojnë të gjithë tifozët dhe dashamirësit e klubit.”
Shtuar më 27/08/2019, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori