Zvicerjanët mbështesin fuqimisht Behramin pas përjashtimit nga skuadra
Përjashtimi i Valon Behrami është lajmi i ditës në median zvicerane, e cila në përgjithësi ka rezultuar kritike në drejtim të Federatës Zvicerane dhe trajnerit Petkovic për mënyrën sesi administruan situatën me Behramin.

“Federata Zvicerane e humbi kontrollin”, thekson Noje Zyrher Caitung. “Ajo dhe trajneri treguan mungesë respekti ndaj një futbollisti që ka dhënë shumë për skuadrën”.
“Re të zeza kanë rënë mbi kombëtaren”, shkruante “Argauer Caitung”.

Ndërsa “Tages Ancaiger” shkruan se largimi i Behramit nga kombëtarja është vetëm zhurma e fundit e ngritur rreth skuadrës. Situata do të mbetet e nderë pasi çështja e lojtarëve me 2 pasaporta është ende shumë e hapur. Ndërsa “Tagblat” publikon një letër të hapur drejtuar valon Behramit ku e falenderon për kontributin e madh që ai ka dhënë, ndërkohë që shfaqi edhe befasinë për mënyrën sesi e menaxhoi këtë situatë Federata Zvicerane e futbollit për ta mbyllur letrën me frazën: Do ta ndjejmë mungesën tënde.

Një mesazh lamtumire nga kombëtarja zvicerane, Valon Behrami mori edhe nga Granit Xhaka. “Valon, ajo që mund të them është shumë Faleminderit. Je një ikonë e vërtetë e kombëtares zvicerane. Krijuam kujtime në fushë, u bëmë miq përjetë”, shkruante Granit Xhaka në Instagram.

Mesazhe të shumtë Valon Behrami ka marrë edhe nga tifozë të shumtë zviceranë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk i kursyen kritikat ndaj Petkovic, sic është rasti i përdorueses së Twitterit Miss Fairysdust, e cila shkruante: “Ky ishte një gabim i madh z.Petkovic. Valon, do ta ndjejmë shumë mungesën tënde. Faleminderit për atë çfarë bëre për vendin tonë”.
Shtuar më 07/08/2018, ora 14:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori